
Autoritetet gjermane kanë lëshuar një alarm për sigurinë ushqimore përmes sistemit evropian të sinjalizimit të shpejtë për ushqimet, duke përfshirë edhe Shqipërinë mes vendeve që duhet të ndjekin menjëherë procedurat e kontrollit.
Sipas njoftimit, në një seri të pijes "Pizzolato Spritz Aperitivo 0.0", një aperitiv pa alkool me origjinë nga Italia, është konstatuar prania e copave të xhamit të thyer brenda shisheve, duke krijuar një rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.
Produkti i prekur është:
Emri: Pizzolato Spritz Aperitivo 0.0
Kategoria: Pije jo-alkoolike
Kodi LOT: L26113A
Data e skadencës: 04/2028
Origjina: Itali
Eksportuesi: Peter Riegel Weinimport GmbH
Importuesi në Shqipëri: Jurrei sh.p.k.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që, nëse kanë blerë këtë produkt me kodin e mësipërm të LOT-it, të mos e hapin dhe të mos e konsumojnë në asnjë mënyrë, pasi ekziston rreziku i dëmtimeve të brendshme nga copat e xhamit.
Konsumatorët këshillohen ta kthejnë menjëherë produktin në pikën e shitjes ku e kanë blerë, ndërsa institucionet përgjegjëse pritet të ndërmarrin masat për tërheqjen e tij nga tregu dhe verifikimin e shpërndarjes në Shqipëri.

