Policia e Korçës ka zbardhur me shpejtësi ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë në fshatin Mollaj, ku një konflikt për motive të dobëta përfundoi me plagosjen e rëndë të një 28-vjeçari.
Gjatë debatit, 41-vjeçari Aleks Qiqi, banues në fshatin Mollaj, dyshohet se ka goditur me thikë në trup shtetasin Ari Kodra, 28 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
I plagosuri u transportua me urgjencë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës dhe pas administrimit të pamjeve filmike, identifikuan dhe arrestuan autorin e dyshuar, i cili gjatë përplasjes fizike ka pësuar dëmtime në kokë dhe trup. Aktualisht ai ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet zbuluan se, pas momentit të plagosjes, katër persona të tjerë Isuf Dalip 45 vjeç, Thanas Paskali 47 vjeç, Dhimitër Kodra 47 vjeç Bilal Shkëmbi 33 vjeç të gjithë banues në Mollaj – kanë ndërhyrë për të ndihmuar 28-vjeçarin, duke goditur me grushte e mjete të forta autorin e dyshuar dhe duke i shkaktuar plagë të konsiderueshme.
Për këtë arsye, edhe këta katër shtetas u arrestuan dhe do të përballen me akuzën “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim, ndërsa 41-vjeçari akuzohet për “Vrasje me dashje” të mbetur në tentativë, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi thikën e përdorur në sulm, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes./Versus.al







