
7 muaj pasi mori detyrën si drejtoresha e SASPAC, kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra Jona Suli.
Këshilli i Ministrave ka shpallur vendin vakant për drejtor të përgjithshëm të agjencisë që koordinon shpërndarjen e fondeve të BE.
Gara për vendin vakant do të qëndrojë e hapur deri më 7 gusht.
Jona Suli u emëruar në muajin dhjetor të vitit 2023 në krye të kësaj agjencie pas shkarkimit të ish-ministri Ilir Beqaj nga ky post pas nisjes së hetimeve ndaj tij, dhe vendosjes nën masën e sigurisë detyrim paraqitje nga SPAK.
NJOFTIM PËR APLIKIM PËR FUNKSIONIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AGJENCISË SHTETËRORE TË PROGRAMIMIT STRATEGJIK DHE KOORDINIMIT TË NDIHMËS
Në mbështetje të pikës 3, të nenit 102, të Kushtetutës, dhe të kreut III, pikat 1 e 2, të vendimit nr.642, datë 29.10.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës”, të ndryshuar, Kryeministria shpall njoftimin për aplikim për funksionin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.
Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (në vijim, Agjencia) organizohet në nivel qendror dhe është në varësi të Kryeministrit.
Agjencia ka si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet e projektet zhvillimore, monitorimin e zbatimit të Stategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022-2030, ofrimin e mbështetjes metodologjike në hartimin e strategjive ndërsektoriale dhe sektoriale, me qëllim harmonizimin e tyre me SKZHIE-në, si dhe monitorimin e zbatimit të tyre, koordinimin e procesit të administrimit të projekteve me interes kombëtar, ofrimin e mbështetjes për institucionet e administratës shtetërore për rritjen e kapaciteteve në fushën programeve dhe të projekteve zhvillimore.







