AKTUALITET /

Zjarre masiv në malin e Borshit dhe në Piqeras, flakët kërcënojnë banesat

Tymi i dendur ka pushtuar të gjithë vijën bregdetare, nga Borshi në Qeparo dhe deri në Himarë

Shkruar nga Versus

  Zjarre masiv në malin e Borshit dhe në Piqeras, flakët  

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë malin e Borshit, duke shkaktuar alarm në zonën bregdetare të jugut të Shqipërisë. Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke u intensifikuar në mënyrë të frikshme, ndërsa zjarrfikësit e Himarës kanë luftuar pa ndërprerje për ta vënë situatën nën kontroll, por pa sukses.

Burime nga vendngjarja raportojnë se terreni jashtëzakonisht i thyer dhe i vështirë për ndërhyrje, në kombinim me erën që ndryshon drejtim, ka bërë që zjarri të përparojë drejt zonave të banuara, duke krijuar rrezik të drejtpërdrejtë për banesat në Piqeras dhe në Borsh.

Tymi i dendur ka pushtuar të gjithë vijën bregdetare, nga Borshi në Qeparo dhe deri në Himarë, duke ndikuar seriozisht edhe në turizmin dhe qarkullimin e mjeteve në zonë.
Autoritetet lokale dhe prefektura e Vlorës janë në kontakt me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për të kërkuar ndërhyrje ajrore, përfshirë përdorimin e helikopterëve dhe avionëve zjarrfikës, që deri më tani nuk kanë qenë të pranishëm në zonë. Strukturat vendore i bëjnë thirrje banorëve të mbajnë qetësi, por edhe të jenë të përgatitur për evakuim në rast nevoje. 

Poll