AKTUALITET /

Zvicra shkruan për marrëveshjen Rama-Meloni! 72 mijë euro për një shtrat. Sa kushtoi ‘kampi i Gjadrit’? NZZ: Modeli, politikisht i suksesshëm!

Fillimisht, “modeli shqiptar” parashikonte që emigrantët që mbërrinin në brigjet italiane të transferoheshin në qendrat në Gjadër dhe Shëngjin, ku do të kryhej një shqyrtim i përshpejtuar i kërkesave për azil.

Shkruar nga Versus

Zvicra shkruan për marrëveshjen Rama-Meloni! 72 mijë euro

Plani i kryeministres italiane Giorgia Meloni për ngritjen e qendrave të riatdhesimit për emigrantët në Shqipëri po rezulton tepër i kushtueshëm dhe, deri tani, me efikasitet të ulët praktik. Megjithatë, në aspektin politik, ai përbën një sukses për Melonin, shkruan gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ).

Një hetim i kryer nga platforma holandeze Follow the Money zbulon se vetëm ndërtimi i qendrës në Gjadër, Lezhë, i ka kushtuar Italisë 74.2 milionë euro — ose 72,500 euro për çdo shtrat —  dhjetëfish krahasuar me koston e qendrave të ngjashme në Siçili.

Megjithëse shpenzimet janë të mëdha dhe rezultatet konkrete të pakta, projekti nuk ka dëmtuar imazhin e Melonit. Përkundrazi, qëndrimi i saj i ashpër ndaj emigracionit është bërë pjesë e diskursit kryesor politik në nivel evropian. Vende të tjera anëtare të BE-së po e ndjekin me interes këtë model, pasi deri tani asnjë shtet i BE-së nuk ka arritur të vendosë qendra azili në një vend të tretë jashtë unionit.

Në samitin e fundit të BE-së, kancelari i ri gjerman, Friedrich Merz, mori pjesë për herë të parë në një takim informal të thirrur nga Meloni për këtë temë, duke sinjalizuar se ideja e saj po fiton terren edhe në nivelet më të larta të udhëheqjes evropiane.

Fillimisht, “modeli shqiptar” parashikonte që emigrantët që mbërrinin në brigjet italiane të transferoheshin në qendrat në Gjadër dhe Shëngjin, ku do të kryhej një shqyrtim i përshpejtuar i kërkesave për azil. Por për shkak të kufizimeve ligjore në Shqipëri, ndalimi i përkohshëm i azilkërkuesve nuk ishte i mundur, gjë që e detyroi qeverinë italiane të ndryshonte funksionin e qendrave: ato do të shërbejnë vetëm për regjistrimin dhe riatdhesimin e atyre që nuk përfitojnë mbrojtje ndërkombëtare.

Pavarësisht kritikave, Meloni ka arritur të kapitalizojë politikisht mbi këtë qasje. Ajo ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme edhe me Tunizinë dhe Egjiptin për të ndaluar nisjet e emigrantëve drejt Europës, në këmbim të ndihmës financiare – marrëveshje që janë kritikuar nga organizatat ndërkombëtare për shkelje të të drejtave të njeriut.

Sidoqoftë, të dhënat janë në favor të saj: në vitin 2024, mbërritjet e emigrantëve në Itali kanë rënë me 60%. Sipas analistit Luca Barana nga Instituti Italian për Çështje Ndërkombëtare, Meloni është kthyer në “aktorin më të rëndësishëm në Europë për çështjet e migracionit”. “Modeli shqiptar”, pavarësisht mangësive në zbatim, e ka forcuar imazhin e saj si një lidere e vendosur në një Europë gjithnjë e më të djathtë. /Versus.al/

Tags:

zvicer model

Poll