
Pas një jave kërkimesh intensive, policia franceze ka arritur të godasë për herë të parë grupin e dyshuar kriminal që mendohet se qëndron pas grabitjes spektakolare të xhevahireve të kurorës nga muzeu i Luvrit në Paris.
Sipas raportimeve të mediave franceze, përfshirë Le Parisien, dy persona janë arrestuar të shtunën mbrëma, të dy me origjinë nga periferia pariziene e Senë - Sen-Denis. Arrestimet janë kryer në dy operacione të ndara, të koordinuara nga Brigada Kundër Banditizmit (BRB), që ka udhëhequr hetimin duke angazhuar mbi 100 hetues gjatë javës së fundit.
Njëri prej të dyshuarve u kap në Aeroportin Charles de Gaulle, në Roissy, teksa përgatitej të hipte në një fluturim për në Algjeri. Arrestimi është kryer rreth orës 22:00 të së shtunës, ndërsa në të njëjtën kohë, një i dytë u ndalua në Seine-Saint-Denis nga policia gjyqësore e Parisit. Të dy janë vënë në paraburgim për vjedhje të organizuar dhe komplot kriminal.
Megjithatë, burimet e hetimit kanë konfirmuar se tetë xhevahiret e kurorës franceze, me një vlerë të përllogaritur prej 88 milionë eurosh, nuk janë gjetur ende deri në mëngjesin e së dielës.
View this post on Instagram
Si ndodhi grabitja
Ngjarja tronditëse ndodhi të dielën e kaluar, kur katër hajdutë të armatosur me mjete elektrike hynë me forcë në Galerie d’Apollon (Galerinë e Apollonit) të muzeut të Luvrit – një nga hapësirat më të famshme të muzeut, ku ruheshin bizhuteritë dhe xhevahiret e kurorës mbretërore franceze.
Sipas hetimeve, banda mbërriti në orën 09:30 të mëngjesit, vetëm pak minuta pasi muzeu u hap për vizitorët. Ata përdorën një ashensor mekanik të montuar mbi një automjet për të depërtuar përmes një ballkoni afër lumit Sena.

Fotografitë nga vendi i ngjarjes tregojnë shkallë që çonin drejt një dritareje të katit të parë, të cilën hajdutët e prenë me vegla prerëse elektrike për të hyrë brenda. Pas depërtimit, ata kërcënuan rojet e sigurisë, të cilët u detyruan të evakuonin ambientet, dhe më pas thyen xhamat e dy vitrinave ku ekspozoheshin bizhuteritë.
Operacioni i grabitjes zgjati vetëm katër minuta nga ora 09:34 deri në 09:38 dhe hajdutët u arratisën me dy skuterë që i prisnin jashtë ndërtesës.
Skandali i sigurisë dhe reagimi i autoriteteve
Një raport paraprak i policisë franceze ka zbuluar se një në tre dhoma të zonës së bastisur nuk ishte e mbuluar nga kamera sigurie (CCTV), çka ka lehtësuar veprimet e hajdutëve.
Ministri francez i Drejtësisë ka pranuar publikisht se “protokollet e sigurisë dështuan”, duke e cilësuar incidentin si “një dështim të rëndë që i ka dhënë vendit një imazh të tmerrshëm”.
Ndërkohë, autoritetet franceze kanë njoftuar se masat e sigurisë janë shtrënguar ndjeshëm në të gjitha institucionet kulturore të vendit, përfshirë muzetë kryesorë dhe ekspozitat e artit, ndërsa hetimet për identifikimin e dy pjesëtarëve të tjerë të grupit vazhdojnë intensivisht.
Grabitja e Luvrit tashmë po cilësohet si një nga vjedhjet më të guximshme dhe më të sofistikuara në historinë moderne të Francës, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbulojnë jo vetëm se ku ndodhen xhevahiret, por edhe nëse prapa operacionit qëndron një rrjet ndërkombëtar i tregtisë ilegale të veprave të artit dhe bizhuterive. / VERSUS
