
Partneriteti franko-gjerman ishte në kulmin e tij këtë javë, me disa takime të përbashkëta ministrore dhe gjithsej katër takime mes kancelarit gjerman Friedrich Merzdhe presidentit francez Emmanuel Macron.
Veçanërisht simbolik ishte vendi i takimit të së premtes (17.07.2026): Pallati Augustusburg në Bryhl (Brühl) të landit tëRenanisë Veriore-Vestfalisë, ku në vitin 1962 presidenti Charles de Gaulle dhe kancelari Konrad Adenauer hodhën themelet e partneritetit franko-gjerman. Një tjetër moment kulmor ishte pjesëmarrja e Merzit në paradën e Festës Kombëtare Franceze më 14 korrik në Paris. Herën e fundit që një kancelar gjerman mori pjesë ishte Angela Merkel në vitin 2019.
Zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Meyer, e quajti këtë një nder personal për kancelarin dhe hodhi poshtë spekulimet për një ftohje të marrëdhënieve mes Merzit dhe Macronit: "Nuk mund të flitet fare për një ftohje, përkundrazi. Marrëdhënia është shumë e mirë dhe ne po punojmë që të mbetet e tillë.”
Bashkëpunimi franko-gjerman jo gjithmonë vetvetiu
Megjithatë, sipas Stefan Seidendorf, zëvendësdrejtor i Institutit Franko-Gjerman në Ludwigsburg, gjërat nuk janë aq të thjeshta.
"Periudha që nga marrja e detyrës nga Merz ka treguar se ekzistojnë dallime të mëdha mes Francës dhe Gjermanisë dhe se ky bashkëpunim nuk funksionon vetvetiu; për të duhet punuar fort”, tha ai për Deutsche Welle.
Dallimet shfaqen, për shembull, në politikën energjetike: Gjermania ka hequr dorë nga energjia bërthamore, ndërsa Franca vazhdon ta mbështesë fuqimisht atë. Po ashtu, në politikën financiare evropiane, Gjermania shpesh kundërshton kërkesat franceze për një ndarje të përbashkët të borxheve.
Projekte të mëdha të dështuara
Parada më e madhe e Festës Kombëtare Franceze që nga ardhja e Macronit në pushtet në vitin 2017 u zhvillua nën moton "Zgjimi Strategjik i Europës”. Macron e përsëriti këtë mesazh edhe gjatë vizitës në Gjermani.
Ai dëshiron të japë një sinjal për vazhdimin e mbështetjes ndaj Ukrainës dhe për një vetëbesim më të madh evropian përballë Shteteve të Bashkuara nën presidencën e Donald Trump.
Sa i përket Ukrainës, Gjermania tani ka pranuar, pas hezitimesh fillestare, të marrë pjesë në manovrën e parë të të ashtuquajturit "Koalicioni i të Vullnetshmëve”. Ky grup prej rreth 35 shtetesh po krijohet për të mbështetur Ukrainën në rast të një armëpushimi me Rusinë. Manovrat e para do të zhvillohen në Poloni.
Megjithatë, javët e fundit kanë sjellë lajme negative për marrëdhëniet franko-gjermane. Dështimi i projekteve të rëndësishme të përbashkëta të mbrojtjes ka qenë një goditje e madhe. Përveç projektit të avionit luftarak FCAS, i cili zyrtarisht është braktisur, edhe projekti i tankut të përbashkët MGCS duket se është në rrezik. Kompania gjermane Rheinmetall ka vënë në dyshim vazhdimin e tij.
Një tjetër faktor është shpallja, në fillim të korrikut, e kandidaturës së Marine Le Pen për zgjedhjet presidencialefranceze të pranverës së vitit 2027, kur Macron nuk mund të kandidojë më.
Le Pen ka kandiduar tashmë tri herë dhe dy herë është mposhtur nga Macron në balotazh. Këtë herë, sipas sondazheve, ajo ka shanse reale të bëhet presidente e Francës. Për qeverinë gjermane, ky do të ishte një skenar shqetësues, pasi Le Pen përfaqëson nacionalizmin më shumë sesa integrimin evropian.
Mbrojtja bërthamore franceze edhe për Gjermaninë?
Merz dhe Macron janë përpjekur vazhdimisht të krijojnë lajme pozitive. Në vend të avionit të përbashkët luftarak, dy vendet planifikojnë të bashkëpunojnë në zhvillimin e dronëve, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe raketave me rreze të gjatë veprimi.
Stefan Seidendorf e sheh fundin e projektit FCAS si një shenjë të kohës: "Ideja që politika mund t'i detyrojë kompanitë të zhvillojnë projekte të mëdha si avionë luftarakë dhe tanke mund t'i përkasë tashmë së kaluarës. Sot është më e rëndësishme që Franca dhe Gjermania, së bashku me partnerë të tjerë, të krijojnë një treg evropian për industrinë e mbrojtjes.”
Megjithatë, ai beson se politikanët i pëlqejnë ende këto projekte të mëdha, sepse kur ato kanë sukses, u japin mundësinë të paraqiten si arkitektë të arritjeve historike.
Bashkëpunimi do të thellohet gjithashtu në fushën e parandalimit bërthamor, ndërsa në Berlin po rritet perceptimi se mbrojtja bërthamore amerikane nuk është më aq e sigurt sa dikur. Ndër të tjera, ushtarë gjermanë pritet të marrin pjesë për herë të parë në një stërvitje bërthamore franceze gjatë vjeshtës.
Marrëdhëniet franko-gjermane më shumë se politikë
Pavarësisht harmonisë së shfaqur publikisht, mbi marrëdhëniet franko-gjermane rëndon pyetja se çfarë do të ndodhte nëse Marine Le Pen dhe partia e saj e djathtë Rassemblement National (RN) do të fitonin zgjedhjet presidenciale në pranverën e vitit 2027.
Jacob Ross, ekspert për Francën në Shoqatën Gjermane për Politikën e Jashtme, thotë: "Në radhë të parë do të kishte një humbje të menjëhershme besimi, si në administrata ashtu edhe në bashkëpunimin politik. Shumë forma bashkëpunimi që sot zhvillohen natyrshëm dhe ku informacionet qarkullojnë lirshëm mes dy vendeve do të ndërpriteshin dhe do të duhej të rindërtoheshin.”
Megjithatë, ai nuk beson se kjo do të nënkuptonte fundin e traktatit të miqësisë franko-gjermane. "Do të ishte sigurisht një test shumë i ashpër për marrëveshjet mes Gjermanisë dhe Francës, si edhe për integrimin evropian. Por nuk e përjashtoj mundësinë që të mbizotërojë një pragmatizëm i caktuar dhe që RN të detyrohet të zbusë disa nga premtimet më radikale sapo të përballet me përgjegjësitë e qeverisjes.”
Edhe Stefan Seidendorf thekson se marrëdhëniet franko-gjermane shkojnë shumë përtej politikës. Në rast të një fitoreje të Le Pen, pyetje do të ngriheshin në çdo nivel bashkëpunimi: në administratë, ekonomi, shoqëri civile, partneritete mes qyteteve dhe shkëmbimet e nxënësve.
Fakti që Berlini tashmë po mendon për këtë skenar u konfirmua nga vetë kancelari Merz në konferencën e fundit para pushimeve verore për shtyp: "Dora e Gjermanisë do të mbetet gjithmonë e shtrirë drejt një bashkëpunimi më të thellë dhe të besueshëm me Francën, pavarësisht se si vendosin votuesit në vendet tona.” DW

