
Senatori demokrat nga Pensilvania, John Fetterman, ka deklaruar se do të largohej nga Partia Demokratike nëse ajo do ta bënte pjesë të programit të saj politik ndërprerjen e ndihmës ushtarake për Izraelin.
Ai theksoi se nuk ka plane të largohet për momentin, por se një qëndrim zyrtarisht kundër Izraelit do të ishte "vija e kuqe" për të.
Duke folur në një aktivitet të organizuar nga The Hill dhe NewsNation, Fetterman tha se mbështetja e tij për Izraelin buron nga ajo që e quajti "qartësi morale" dhe paralajmëroi se nuk do të qëndronte në një parti që, sipas tij, do të shndërrohej në "parti anti-Izrael".
Deklarata e tij vjen në një kohë kur brenda Partisë Demokratike po thellohen ndarjet për politikën amerikane ndaj Izraelit.
Këtë javë, 103 ligjvënës demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve votuan në favor të një amendamenti për ndërprerjen e ndihmës ushtarake prej 3.3 miliardë dollarësh për Izraelin, megjithëse propozimi u rrëzua me shumicë votash.
Fetterman, i njohur si një nga mbështetësit më të fortë të Izraelit në radhët e demokratëve, kritikoi krahun progresist të partisë për qëndrimet e tij ndaj konfliktit në Lindjen e Mesme.

