Një tjetër kandidat i partisë gjermane të ekstremit të djathtë, AfD (Alternativa për Gjermaninë), ka ndërruar jetë vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 14 shtator në Renaninë Veriore-Vestfali, duke e çuar në shtatë numrin e kandidatëve të vdekur të kësaj partie brenda disa javësh. Lajmi u konfirmua nga partia për gazetën franceze Le Parisien, në mbështetje të raportimit të medias gjermane Die Welt.
I ndjeri, Hans-Joachim Kind, ishte një 80-vjeçar i cili kandidonte për qytetin Remscheid. Sipas seksionit lokal të AfD-së, ai ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrore, pas një sëmundjeje të gjatë. Partia nuk dha më shumë detaje rreth vdekjes.
Teoritë konspirative pushtojnë rrjetet sociale
Pavarësisht sqarimeve zyrtare, shumë përdorues në rrjetet sociale kanë ngritur teori konspirative, duke pretenduar për një “dorë të fshehtë” pas vdekjeve të përsëritura të kandidatëve të AfD-së. Por policia lokale gjermane, pas hetimeve për rastet e mëparshme, nuk ka konstatuar asgjë të dyshimtë.
Nga gjashtë kandidatët e tjerë të ndjerë më parë, njëri kishte kryer vetëvrasje, ndërsa pesë të tjerët vdiqën nga shkaqe natyrore, sipas raportimeve të autoriteteve.
Zëvendëspresidenti i AfD-së në Renaninë Veriore-Vestfali, Kay Gottschalk, e ka mohuar kategorikisht çdo lidhje të pazakontë mes këtyre vdekjeve dhe aktivitetit politik të kandidatëve, duke i quajtur spekulimet si të pabazuara dhe të rrezikshme.
Edhe parti të tjera kanë humbur kandidatë
Për të ulur tensionet dhe për të vendosur kontekstin e duhur, përfaqësues të komisionit zgjedhor rajonal kanë deklaruar se edhe partitë e tjera kanë humbur kandidatë gjatë së njëjtës periudhë.
“Edhe gjashtë kandidatë nga formacione të tjera politike, përfshirë Partinë për Mbrojtjen e Kafshëve, Partinë e Zgjedhësve të Lirë, Partinë Liberale dhe të Gjelbrit, kanë ndërruar jetë,” tha zëdhënësi i komisionit rajonal të zgjedhjeve. “Vdekje të tilla ndodhin në çdo cikël zgjedhor dhe nuk kanë të bëjnë me përkatësinë partiake.” / VERSUS /







