
Një 39-vjeçar është arrestuar në Austri, nën dyshimin se ka tentuar të shantazhojë kompaninë gjermane të ushqimeve për foshnje HiPP, duke kërcënuar me helmimin e produkteve të saj.
Sipas Prokuroria Publike e Eisenstadt, i dyshuari është ndaluar në rajonin e Burgenland dhe aktualisht po merret në pyetje, ndërsa identiteti i tij nuk është bërë publik për shkak të hetimeve në vijim.
Hetimet lidhen me një përpjekje për zhvatje rreth 2 milionë euro.
Sipas mediave austriake, kompania kishte marrë një email kërcënues në muajin mars, ku kërkohej pagesa brenda gjashtë ditëve, por mesazhi ishte zbuluar me vonesë, pasi ishte dërguar në një adresë që monitorohej rrallë.
Autoritetet dyshojnë se 39-vjeçari mund të jetë i përfshirë edhe në manipulimin e disa produkteve ushqimore për foshnje.
Muajin e kaluar, pesë kavanozë të dyshuar të kontaminuar u zbuluan në Austri, Republika Çeke dhe Sllovakia, përpara se të arrinin tek konsumatorët, çka detyroi kompaninë të tërhiqte produktet nga tregu austriak.
Një nga produktet e analizuara, i etiketuar “karrota me patate”, rezultoi të përmbante një sasi të vogël helm për minjtë.
Ky produkt ishte blerë në një supermarket në Eisenstadt, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende publike llojin e saktë të substancës së përdorur.
Ndërkohë, hetimet janë shtrirë edhe në Gjermani, ku prodhohen këto produkte. Kompania ka sqaruar se procesi i prodhimit në Gjermani nuk është prekur nga incidenti./Versus.al

