AKTUALITET /

Gjykata e Lartë ndryshon praktikën: Masa e arrestit me burg, vetëm kur ka prova për rrezikshmërinë

Gjykata e Lartë ka rishikuar rregullat për masën “arrest në burg”, duke kërkuar analiza më të thelluara nga gjykatat dhe duke forcuar garancitë për lirinë personale në përputhje me standardet europiane.

Shkruar nga Versus
Gjykata e Lartë ndryshon praktikën: Masa e arrestit me burg,
Në mes, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi

Gjykata e Lartë ka vendosur rishikimin e vendimit unifikues të vitit 2011 për masën e sigurisë “arrest në burg”, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e zbatimit të saj nga gjykatat.

Sipas vendimit të Kolegjeve të Bashkuara, gjykatat nuk mund të mjaftohen vetëm me arsyetimin se “arresti në burg” është masa më e përshtatshme, por duhet të analizojnë realisht edhe masat alternative më të buta dhe të shpjegojnë qartë pse ato nuk janë të mjaftueshme në çdo rast konkret.

Së dyti, Gjykata thekson se “arresti në burg” duhet të mbetet masë përjashtimore dhe nuk mund të bazohet vetëm në natyrën e veprës penale apo në dënimin e parashikuar, por në një vlerësim të detajuar të rrethanave të çështjes, mënyrës së kryerjes së veprës dhe të dhënave personale të të pandehurit.

Së treti, barra e provës për nevojën e kësaj mase i takon prokurorisë, ndërsa gjykata ka detyrimin ta kontrollojë dhe ta arsyetojë në çdo fazë të procesit.

Vendimi i Kolegjit të Bashkuar: 

Së pari, formulimi i mëparshëm, sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrimin të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur është e përshtatshme për rastin konkret, nuk është në përputhje me nenet 228-230 dhe 245/1, shkronja “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe me nenin 5 § 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Për këtë arsye, gjykata ka detyrimin të shqyrtojë realisht masat më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Ky arsyetim duhet të jetë i individualizuar, i mbështetur në fakte dhe i lidhur drejtpërdrejt me rrethanat konkrete të çështjes.

Së dyti, masa “arrest në burg” ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme. Rrezikshmëria e veprës dhe e autorit nuk mund të nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale apo nga marzhi i dënimit, por duhet të mbështetet në një vlerësim konkret të rrethanave të çështjes, mënyrës së kryerjes së veprës, pasojave, personalitetit, sjelljes dhe të dhënave personale e familjare të personit ndaj të cilit kërkohet masa.

Së treti, barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës “arrest në burg” i takon prokurorisë. Gjykata ka detyrimin ta verifikojë dhe ta arsyetojë këtë nevojë në çdo fazë të procedimit. Vendimmarrja e saj nuk mund të kushtëzohet nga paraqitja ose jo e “provave pozitive” nga i pandehuri.

Ky vendim ka rëndësi të veçantë për sistemin gjyqësor dhe për mbrojtjen e të drejtave themelore, pasi qartëson kushtet, kufijtë dhe mënyrën e arsyetimit të masës “arrest në burg”, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, Kushtetutën dhe standardet e GJEDNJ-së.

Në këtë mënyrë, Kolegjet e Bashkuara forcojnë qëndrueshmërinë, njëtrajtshmërinë dhe parashikueshmërinë e praktikës gjyqësore, duke vendosur në qendër garancitë e lirisë personale dhe nevojën për një kontroll gjyqësor real, konkret dhe proporcional.Versus.al

Poll