AKTUALITET /

Tragjedia në Durrës/ Dhimbje dhe revoltë në ish-Kënetë, banorët shpërthejnë ndaj autorit dhe shtetit

Dy fëmijë humbën jetën në aksidentin tragjik në Durrës, ndërsa banorët e zonës reagojnë mes dhimbjes dhe akuzave ndaj autorit dhe institucioneve.

Shkruar nga Versus

Tragjedia në Durrës/ Dhimbje dhe revoltë në
Dhimbja ka mbërthyer lagjen nr. 5 në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku një ditë më parë një aksident tragjik i mori jetën dy fëmijëve të moshës 10 dhe 12 vjeç, ndërsa një tjetër i mitur vijon të luftojë për jetën në Spitalin e Traumës.

Familjarë, të afërm dhe banorë të zonës janë të tronditur thellë nga ngjarja e rëndë, ndërsa nuk mungojnë edhe akuzat ndaj institucioneve. Një banore, e afërme e një prej familjeve të viktimave, shpërtheu në revoltë, duke kërkuar dënim maksimal për autorin.

“Të digjet! Ta marrë vesh dynjaja. I kam të mitë. Jo vetëm unë, por e gjithë Shqipëria po e përjeton!”, tha ajo.

Banorët e tjerë e përshkruajnë skenën si të pabesueshme dhe tronditëse.
“Jemi të tramaksur. Ishte si në filma. Ishim pa gjumë tërë natën, fëmijët janë të tmerruar. Jemi pa fjalë. Shteti të marrë masa. Nuk kemi fjalë. Nuk ishte hera e parë për atë person. Ka qenë problematik. Kur ishte i pirë s’dinte se çfarë bënte.”, u shpreh një prej tyre.

Akuza të forta vijnë edhe për mungesë reagimi nga institucionet.

“Njëra familje kishte të atin në Itali, të sëmurë. Erdhi mbrëmë. Jemi të tronditur si lagje. Është dhe për faj të shtetit. Ishte njoftuar shteti për këtë rast. Tragjedi! Jemi të tronditur, jemi të lënduar të gjithë shpirtërisht.”, tha një tjetër banor.

Ndërkohë, familjarët jetojnë mes dhimbjes dhe ankthit për fëmijën tjetër të plagosur.

“U ka dhembur shpirti dhe atyre që nuk e njihnin. Jemi pa fjalë. Dhimbja është e madhe. E gjithë familja është e prekur, e shokuar. Me zemër të ngrirë pasi djali tjetër është në spital.”, u shpreh një i afërm i viktimave.

Ngjarja ka lënë një plagë të thellë në komunitet, duke ngritur shqetësime të forta për sigurinë dhe përgjegjësinë institucionale./Versus.al

Poll