Dy ditë pas shpërthimit të një eksplozivi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi angazhimin e qeverisë për sigurimin e energjisë elektrike dhe ujit për banorët e prekur nga ngjarja.
“Institucionet dhe ndërmarrjet publike të Republikës së Kosovës janë duke punuar me dedikim për të garantuar siguri të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët”, shkruan Kurti.
Ai gjithashtu ndau në Facebook një video nga inspektimi që kreu ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila shprehu shpresën se furnizimi me ujë do të fillojë së shpejti në disa nga komunat e goditura.
'Zgjidhja që është nga inxhinierët e Ibër-Lepencit, është duke funksionuar. Rrjedhja e ujit është me një kapacitet prej 3 mijë litra në sekondë, e mjaftueshme për të furnizuar KEK, Shpresojmë që së shpejti do të nisë furnizimi me ujë në disa prej komunave”, shprehet ministrja.
Aktualisht, janë vendosur autobotë për shpërndarjen e ujit në disa lokacione të Mitrovicës së Veriut, duke përfshirë Lagjen e Boshnjakëve, si dhe në Mitrovicën e Jugut, ku janë instaluar në tri vende, përfshirë sheshin e qytetit. Po ashtu, autobotë uji janë vendosur në Zveçan, afër Kuvendit Komunal, dhe në Drenas, Skenderaj, e Fushë Kosovë. Për të lehtësuar situatën e krijuar, Shqipëria ka filluar që nga dje të ofrojë energji për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Ndërkohë, autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë kryer arrestimin e tetë individëve të dyshuar për përfshirje në sulmin që ndodhi një natë më parë në kanalin e liqenit të Ujmanit. Të arrestuarit janë dyshuar për aktivitete kriminale dhe terroriste. Gjatë operacionit, janë sekuestruar më shumë se 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës, tre granata dore, dy armë automatike të tipit AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshëm, si dhe helmeta ushtarake, maska dhe thika./Versus.al








