
Gjermania ka vendosur një rregull të ri që prek burrat e moshës 17 deri në 45 vjeç: ata duhet të kërkojnë autorizim nga ushtria nëse planifikojnë të qëndrojnë jashtë vendit për më shumë se tre muaj.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria gjermane e Mbrojtjes për agjencinë DPA dhe vjen pas miratimit të ligjit të ri për shërbimin ushtarak në fund të vitit 2025, nën qeverinë e kancelarit Friedrich Merz.
Një masë për të rritur ushtrinë
Ligji, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar, synon të rrisë ndjeshëm numrin e forcave të armatosura gjermane, si përgjigje ndaj kërcënimit në rritje nga Rusia. Objektivi është që numri i ushtarëve aktivë të rritet nga 180 mijë në 260 mijë, ndërsa të krijohet edhe një rezervë prej 200 mijë personash.
Aktualisht, shërbimi ushtarak mbetet vullnetar. Në praktikë, çdo i ri merr një pyetësor në moshën 18-vjeçare për të vlerësuar aftësitë dhe gatishmërinë për t’u bashkuar me ushtrinë. Ky formular është i detyrueshëm për meshkujt dhe vullnetar për femrat.
Autoritetet: “Është më shumë formalitet”
Megjithëse mediat raportuan se burrat duhet të marrin leje për çdo udhëtim të gjatë jashtë vendit, Ministria e Mbrojtjes theksoi se kjo është kryesisht një masë administrative.
Sipas një zëdhënësi, autorizimi në parim jepet gjithmonë, për aq kohë sa shërbimi ushtarak nuk është i detyrueshëm. Qëllimi kryesor është që autoritetet të kenë informacion mbi personat që largohen nga vendi për periudha të gjata.
Kjo rregullore, sipas ministrisë, daton që nga periudha e Luftës së Ftohtë, por nuk ishte zbatuar me rigorozitet deri më tani. Ende nuk ka të dhëna për numrin e kërkesave të paraqitura që nga fillimi i vitit.

