
Një ngjarje tronditëse ka shokuar periferinë e Filadelfias, në Shtetet e Bashkuara, ku policia ka zbuluar një bodrum që përmbante të paktën 100 mbetje njerëzore, mes tyre kocka, kafka, duar dhe këmbë.
Autoritetet kanë arrestuar një 24-vjeçar, Jonathan Christ Gerlach, i cili akuzohet se ka vjedhur mbetje njerëzore nga Mount Moriah Cemetery, një varrezë e braktisur që daton që nga viti 1885.
Sipas policisë, gjatë muajit nëntor, Gerlach ka thyer dhe hapur të paktën 26 varre dhe mauzole, duke marrë eshtrat dhe duke i transportuar në bodrumin e banesës së tij. Alarmimi i forcave të rendit ka ndodhur pasi pranë varrezës u vu re një automjet i parkuar, brenda të cilit dukeshin qartë kafka dhe kocka njerëzore.
I riu përballet me një sërë akuzash të rënda, përfshirë përdhosje kufome, pranim dhe mbajtje të sendeve të vjedhura, profanim të një monumenti publik, profanim të objekteve të shenjta, profanim të një vendvarrimi historik, vjedhje me thyerje, shkelje prone dhe vjedhje.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi motivet e autorit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht këtë rast makabër.

