BOTA /

Vritet autori i dyshuar i të shtënave në Kiev, të paktën pesë të vdekur

Ngjarja tragjike në kryeqytetin ukrainas përfundon me vrasjen e sulmuesit dhe dhjetëra të plagosur, sipas autoriteteve.

Shkruar nga Versus

Vritet autori i dyshuar i të shtënave në  Kiev, të

Autori i dyshuar i një sulmi me armë të shtunën në një lagje rezidenciale të Kievit është vrarë gjatë operacionit të arrestimit, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm i Ukrainës, Igor Klymenko.

Sipas presidentit Volodymyr Zelensky, të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë shtruar në spital me plagë dhe trauma. Ai shtoi gjithashtu se katër pengje janë liruar gjatë ndërhyrjes së forcave të sigurisë.

Ministri i Brendshëm ka sqaruar se sulmuesi është vrarë në një supermarket ku ishte barrikaduar, pasi kishte marrë pengje dhe kishte qëlluar ndaj policisë gjatë përpjekjes për arrestim.

Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës ka bërë të ditur se i dyshuari është një burrë 58-vjeçar i lindur në Moskë. Sipas hetimeve paraprake, ai fillimisht ka hapur zjarr në rrugë dhe më pas është futur në supermarket, ku është barrikaduar.

Autoritetet thonë se ai dyshohet se ka përdorur armë automatike, ndërsa raportohet edhe për një zjarr që ka shpërthyer në banesën ku ai ishte i regjistruar si banor.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, ka deklaruar se gjithsej 15 persona janë plagosur, prej të cilëve të paktën dhjetë janë hospitalizuar.

Pamjet e publikuara nga autoritetet tregojnë trupin e një personi të shtrirë në dyshemenë e supermarketit, pranë një arme zjarri, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.

 

Poll