
Agjentët rusë shqyrtuan një strategji ekstreme për të ndihmuar kryeministrin hungarez Viktor Orbán të mbante pushtetin - duke përfshirë një atentat të organizuar që do të mobilizonte votuesit dhe do të ndryshonte rrjedhën e fushatës.
Përpara zgjedhjeve kyçe në Hungari në prill, njësia e inteligjencës së jashtme e Rusisë muajin e kaluar filloi të shprehte shqetësim në lidhje me një rënie të ndjeshme të mbështetjes për kryeministrin Viktor Orban, lidhjet e ngushta të të cilit me Moskën i kanë dhënë prej kohësh Kremlinit një pikëmbështetje strategjike brenda NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Zyrtarët e atij shërbimi, SVR, sugjeruan se mund të nevojiteshin masa drastike - një strategji që ata e quajtën një "ndryshues loje".
Në një raport të brendshëm të SVR-së, të marrë dhe autenticiteti i të cilit u konfirmua nga një shërbim inteligjence evropian, dhe i shqyrtuar nga Washington Post , operativët propozuan një mënyrë për të "ndryshuar rrënjësisht të gjithë paradigmën e fushatës zgjedhore" - "inskenimin e vrasjes së Viktor Orbán".
“Një incident i tillë do ta zhvendoste perceptimin e fushatës nga sfera racionale e çështjeve socioekonomike në një sferë emocionale, ku temat kryesore do të bëheshin siguria shtetërore, stabiliteti dhe mbrojtja e sistemit politik”, thuhet në raportin e përgatitur për departamentin e SVR-së përgjegjës për operacionet e ndikimit politik.
Deri më tani, nuk ka pasur sulme fizike ndaj Orbanit, popullariteti i të cilit është dobësuar për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike.
Megjithatë, vetë ideja e organizimit të një atentati tregon se sa të larta janë rreziqet për Moskën në zgjedhjet hungareze.
Sondazhet tregojnë se Orbán është pas Peter Magyar, gjithashtu një konservator dhe ish-anëtar i partisë Fidesz të Orbán, i cili tani shihet si një reformator anti-korrupsion.
"Shumica (52.3%) janë të pakënaqur me gjendjen në vend," shkruan oficerët rusë. "Pakënaqësia nuk është e pranishme vetëm në qytete, por edhe në zonat rurale (50.8%), ku Fidesz është tradicionalisht i fortë."
Rusia nuk është e vetmja fuqi e jashtme që mund të përpiqet ta ndihmojë Orbán-in në një nga fushatat më të vështira të karrierës së tij.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, vizitoi Budapestin muajin e kaluar dhe i tha Orbán-it:
"Suksesi juaj është suksesi ynë", ndërsa Orbán shpreson gjithashtu për mbështetjen e Donald Trump.
Megjithatë, ndërsa SHBA-të ofrojnë mbështetje politike dhe gjeste simbolike, zyrtarët perëndimorë besojnë se ndërhyrja ruse mund të jetë shumë më e drejtpërdrejtë.
Kremlini, thonë ata, dëshiron të ruajë Orbanin, i cili e ka ndihmuar Moskën të bllokojë politikat kryesore të BE-së dhe shërben si një urë lidhëse me konservatorët amerikanë në një përpjekje për të krijuar një rend të ri botëror.
Zëdhënësi i Orbanit, Zoltan Kovac, nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me raportin, ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhje apo marrëdhëniet e kryeministrit me Moskën.
Nuk është e qartë se në çfarë niveli të lartë në qeverinë ruse është marrë në konsideratë ky propozim.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë akuzat si "dezinformim", ndërsa SVR nuk pranoi të komentojë.
Në javët e fundit, Orbán dhe partia e tij janë përpjekur gjithnjë e më shumë të largojnë vëmendjen e publikut nga problemet ekonomike te kërcënimet e dyshuara të sigurisë së jashtme.
Në mes të një konflikti me BE-në për bllokimin e një kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, qeveria e Orbanit akuzoi Kievin për pezullimin e dërgesave të naftës ruse përmes tubacionit Druzhba, edhe pse ndërprerja ishte në fakt rezultat i një sulmi rus.
Tensionet u rritën më tej. Orban ka akuzuar ukrainasit për planifikimin e sulmeve ndaj familjes së tij, ndërsa Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky më parë ka kërcënuar se mund t'ia "kalojë adresën e tij ushtrisë".
Hungaria më pas ndaloi hyrjen e tre qytetarëve ukrainas për shkak të kërcënimeve të dyshuara.
Pasi Orbán njoftoi vendosjen e trupave për të mbrojtur infrastrukturën energjetike, shqetësimi u rrit në Budapest.
"Çdo gjë është e mundur", tha një zyrtar perëndimor, ndërsa një tjetër shtoi se nuk e kishte parë kurrë Fidesz-in kaq nervoz.
“Paniku po rritet në partinë në pushtet dhe ekziston rreziku që ata të bëjnë lëvizje të pamatura për të qëndruar në pushtet”, tha Andras Telkes, një ish-zyrtar i inteligjencës hungareze. “Rusët do të bëjnë gjithçka për ta mbajtur Orbanin në pushtet.”
Sipas burimeve të sigurisë, Rusia ka nisur tashmë një fushatë në rrjetet sociale duke promovuar Orbánin si të vetmin udhëheqës që mund të mbrojë sovranitetin e Hungarisë.
Ekzistojnë gjithashtu akuza se agjentë rusë janë të përfshirë në diskreditimin e kandidatëve të opozitës, duke përfshirë përhapjen e akuzave të rreme dhe përmbajtjes së manipuluar.
Një zyrtar evropian i sigurisë deklaroi se tre operativë të lidhur me shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse kishin mbërritur gjithashtu në Hungari, gjë që nxiti më tej dyshimet për ndërhyrjen e Moskës.
Gara zgjedhore është jashtëzakonisht e ngushtë dhe ekziston një frikë në rritje se rezultatet mund të kontestohen.
“Orbán është një nga aleatët më të rëndësishëm të Rusisë”, tha një zyrtar perëndimor. “Është e vështirë të imagjinohet që Moska nuk do të jetë gati të ndërhyjë nëse gjërat shkojnë keq.”/Përshtati në shqip Versus.al

