Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare për familjet e dëmtuara nga zjarri i 14 prillit në një pallat në rrugën e Dibrës, në zonën e njohur si “Farmacia 10”, pranë QSUT.
Sipas vendimit, familjet e prekura duhet të aplikojnë pranë njësive administrative ku janë të regjistruara, duke dorëzuar një dosje me dokumentacionin përkatës. Në të përfshihen dokumenti i identifikimit, certifikata familjare, dokumentet e pronësisë për banesën e dëmtuar si dhe një deklaratë për saktësinë e të dhënave të paraqitura.
Një nga kushtet kryesore për përfitim është edhe paraqitja e një vërtetimi nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, që provon se anëtarët madhorë të familjes nuk disponojnë një banesë tjetër në të njëjtën njësi vendore.
Njësitë administrative do të verifikojnë dokumentacionin dhe do të hartojnë listën përfundimtare të përfituesve, e cila më pas do t’i kalojë strukturave përkatëse për miratim dhe ekzekutim të pagesave.
Ndihma financiare do të jepet në mënyrë të përmuajshme dhe do të monitorohet vazhdimisht.
Ajo do të ndërpritet sapo familjet të sistemohen përfundimisht në banesat e rikonstruktuara. Autoritetet paralajmërojnë se në rast të përfitimeve të padrejta, do të kërkohet kthimi i shumave dhe do të nisin procedurat ligjore.
Kostoja e këtij programi do të përballohet nga buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2026, në kuadër të programit të mbrojtjes civile dhe menaxhimit të emergjencave.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve ndaj Qytetarit do të raportojë çdo tre muaj pranë Këshillit Bashkiak mbi ecurinë e zbatimit dhe listën e përfituesve, duke garantuar transparencë dhe kontroll të vazhdueshëm të procesit. / VERSUS

