EKONOMI & MJEDIS /

Katalonja në alarm të kuq për shkak të reshjeve të dendura, mbyllen hekurudhat

Rrezik i lartë përmbytjesh, sipas shërbimit meteorologjik Aemet

Shkruar nga Versus

Katalonja në alarm të kuq për shkak të reshjeve të

Autoritetet e vunë sot pjesën më të madhe të Katalonjës, në verilindje të Spanjës, në alarm të kuq për shkak të rrezikut të shirave të rrëmbyeshëm.

Sipas agjencisë meteorologjike Aemet, 90 milimetra ujë (90 litra për metër katror) mund të bien brenda një ore pranë Barcelonës dhe në provincën e Tarragonës, ku një zjarr i madh shpërtheu në fillim të kësaj jave.

Shirat e rrëmbyeshëm, të cilët pritet të zgjasin deri vonë pasdite, paraqesin një rrezik të lartë "përmbytjesh", këmbëngul Aemet në llogarinë e saj në platformën X, duke u bërë thirrje banorëve të ndjekin rekomandimet e mbrojtjes civile përballë kësaj emergjence.

Paralajmërimi nga Aemet e shtyu kompaninë hekurudhore spanjolle Renfe të pezullojë trafikun në të gjithë rajonin, një masë që përfshin edhe trenat me shpejtësi të lartë, si dhe trenat rajonalë dhe periferikë. Qëllimi i kësaj mase emergjente është të "garantojë sigurinë e të gjithë udhëtarëve", tha kompania spanjolle në një deklaratë, duke sqaruar se rifillimi i linjave do të varet nga evolucioni i kushteve të motit.

Përveç Katalonjës, disa rajone në Spanjën veriore dhe lindore janë vënë në alarm portokalli për shkak të këtyre reshjeve të dendura, duke përfshirë Aragonën dhe një pjesë të Komunitetit Valencian. Ky rajon u godit në fund të tetorit nga shirat e rrëmbyeshëm që lanë 227 të vdekur. Autoritetet, veçanërisht ato rajonale, u kritikuan në atë kohë për mungesë përgatitjeje dhe refleksesh për t'u përballur me situatën.

Poll