Arsenali e mbylli pjesën e parë në avantazh 1-0 ndaj PSG-së në finalen e Champions League, falë golit të shënuar nga Kai Havertz që në minutat e para të takimit.
Skuadra londineze goditi menjëherë në minutën e 6-të, kur Havertz përfitoi nga një devijim i favorshëm pas një topi të kthyer nga Marquinhos dhe, i vetëm përballë portierit Safonov, realizoi me një goditje të saktë me të majtën nën traversë.
Pas golit, PSG mori kontrollin e posedimit dhe u përpoq të reagojë, por hasi vështirësi për të depërtuar në mbrojtjen e organizuar të Arsenalit. Rasti më i mirë për francezët erdhi kur Khvicha Kvaratskhelia u shfaq i rrezikshëm në zonë, por Gabriel ndërhyri në momentin vendimtar duke shmangur barazimin.
Skuadra e Luis Enrique vazhdoi të kërkonte hapësira, kryesisht nga krahët, por pa arritur të krijojë raste të pastra. Fabian Ruiz provoi me disa tentativa nga distanca, ndërsa Doué pati dy mundësi të mira, por pa gjetur kuadratin.
Në anën tjetër, Arsenali mbeti shumë i rrezikshëm në kundërsulm. Havertz ishte pranë golit të dytë pas një kombinimi të bukur me Odegaard, por këtë herë Marquinhos ndërhyri në momentin e fundit për të shpëtuar PSG-në.
Një moment shqetësues për francezët erdhi në minutën e 27-të, kur portieri Safonov pësoi një goditje në kokë gjatë një daljeje të guximshme për të larguar një krosim të Bukayo Sakës. Pas ndërhyrjes së stafit mjekësor, gardiani rus ishte në gjendje të vazhdonte ndeshjen.
Në minutat e fundit të pjesës së parë PSG krijoi edhe rastin më të mirë për të barazuar. Nuno Mendes depërtoi bukur nga e majta dhe krosoi në zonë, por Fabian Ruiz nuk arriti ta drejtojë topin drejt portës me kokë.
Pas gjashtë minutave shtesë, arbitri dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjes me Arsenalin në avantazh minimal, ndërsa PSG mbetet në kërkim të reagimit në pjesën e dytë.

