Në gjykatën e Tiranës ka filluar shqyrtimi i çështjes për grupin e Laert Haxhiu, ku po trajtohet episodi i vrasjes së Çajup Selimi më 1 qershor 2021.
Dëshmitari Leonard Selimi ka rrëfyer para trupit gjykues se në momentin e ngjarjes ishte brenda në banesë për shkak të ditëlindjes së tij dhe nuk ka parë asgjë.
Ai deklaroi se Çajup Selimi u qëllua me dy plumba, ku njëri prej tyre ka depërtuar brenda banesës, duke rrezikuar familjen e tij.
Leonard Selimi tha se nuk dëgjoi krisma dhe se doli jashtë vetëm kur plumbi depërtoi në banesë, duke konstatuar se Selimi kishte ndërruar jetë. Ai u përpoq t’i jepte ndihmën e parë, por ishte e pamundur.
Dëshmitari e përshkroi Çajup Selimin si një person të qetë dhe punëtor, i cili merrej me shitjen e çimentos dhe kishte një magazinë.
''Çajup Selimin e njihja kur ishte gjallë. Jetonim në një pallat në Tepelenë. Kur ndodhi vrasja, unë kisha ditëlindjen dhe isha brenda në banesë. Ka qenë rreth orës 21.00 e mbrëmjes. Unë nuk pash gjë kush qëlloi. Isha brenda në shtëpi kur ndodhi ngjarja, nuk dëgjova as zhurma. Nuk pash asgjë. U qëllua me dy plumba, njëri plumb më hyri në shtëpi me rrezikoi vajzën dhe gruan. Nuk dëgjova krisma, dola jashtë kur më hyri plumbi në shtëpi bashkë me nusen. Unë pash vetëm që atij i dilte gjak nga goja. Vetëm unë iu afrova, e kuptova që kishte vdekur. U mundova t’i jap ndihmën e parë, por ai nuk reagoi. Nuk kisha mundësi ti beja gjë, ai nuk reagonte fare. Doli nusja e tij duke bërtit , pastaj dolën të gjithë poshtë. Edhe ata nuk kishin dëgjuar gjë. E mora vesh pastaj nga televizori se pse kishte ndodhur. E njihja djalë punëtor, të qetë, punonte, e njihja për pozitiv. Çajupi shiste çimento , kishte magazinë. Takoheshim bashkë, në kafe nuk u ulëm kurrë sepse nuk pinte, por bisedonim. Derisa u vra nuk kam ditur gjë, mora vesh më vonë që ka pasur probleme. Kishte pasur sherr me ca çuna nga fshati, me të tjerë nuk di gjë. Si fytyra i njoh, me emra nuk i mbaj mend. Janë tre çuna kishin bërë sherr me të, pastaj erdhën te varrimi. Sherri u mbyll më pas mes tyre. Ahmet Abedinin e njoh. Ka një dyqan aty në krah të Çajupit. Drita Abedinin gruan e Ahmetit e njoh. Nuk di të ketë pasur konflikt mes tyre.'' është shprehur Leonard Selimi para trupit gjykues.
Seanca e radhës u caktua në 4 mars ora 11./Versus.al

