AKTUALITET /

Ministria e Drejtësisë kërkon hetim për gjyqtaren e Apelit: Irena Brahimi pengoi ankimimin!

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka kërkuar nisjen e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares Irena Brahimi për vonesën rekord prej 1 viti, 10 muaj e 20 ditë në publikimin e vendimit të arsyetuar, duke theksuar se kjo shkel standardet ligjore dhe pengon të drejtën për një proces të rregullt ligjor.

Shkruar nga Versus
Ministria e Drejtësisë kërkon hetim për gjyqtaren e Apelit:
Besfort Lamallari/Irena Ibrahimi

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka dërguar një kërkesë zyrtare tek Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) për nisjen e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Irena Brahimi, e cila ka vonuar për një periudhë prej 1 viti, 10 muaj e 20 ditë publikimin e vendimit të arsyetuar.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ankesa e shtetasit E.L ka detyruar autoritetet të kryejnë verifikimin administrativ për çështjen penale me objekt “Kundërshtim i vendimit të Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për mosfillimin e procedimit penal”.

Në shkresën drejtuar ILD-së, ministri Lamallari vë në dukje se neni 430/1 i Kodit të Procedurës Penale parashikon që vendimi i përmbledhur duhet të arsyetohet brenda 30 ditëve nga shpallja, me mundësi zgjatjeje deri në 30 ditë në raste të veçanta. Krahasuar me këtë afat ligjor, vonesa e gjyqtares Brahimi tejkalon ndjeshëm kufijtë proceduralë.

Ministri argumenton se kjo vonesë cenon standardin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm dhe pengon palët në ushtrimin e mjeteve të ankimit, duke krijuar ndikim direkt në të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Për këtë arsye, ai ka kërkuar nisjen e hetimit disiplinor për shkelje të detyrimeve procedurale.

Kjo është kërkesa e pestë që Lamallari i drejton ILD-së që kur mori detyrën: katër për hetime disiplinore dhe një për verifikim ankese. Ministria e Drejtësisë po monitoron me kujdes edhe raste të tjera në gjyqësor, duke siguruar respektimin e afateve procedurale dhe standardeve ligjore si element thelbësor për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe garantimin e drejtësisë së barabartë për çdo qytetar./Versus.al

Poll