Live Updates /

3 ditë pas largimit nga PS, Koçeku kërcënohet nga grupi Bajri! Deputetja: Ju shkatërroj nëse prekni familjen! Avokati: S’ka prova

*Tre ditë pasi njoftoi largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste në Kuvend, deputetja Marjana Koçeku ka habitur me një postim të bërë në rrjetet sociale ku lë të kuptohet se është kërcënuar nga grupi kriminal i Bajrajve. *Koçeku paralajmëroi grupin se nëse diçka e keqe u ndodh familjarëve të saj, atëherë ajo do t’i bënte të paguanin. *Nuk vonoi as reagimi i avokatit të Bajrajve, Sokol Tahiraj i cili tha se deputetja nuk ka asnjë provë ndaj klientëve të tij dhe se me këto deklarata po u denigronte figurën. *Policia thotë se nuk ka patur një kallëzim nga ana e Koçekut.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Tre ditë pasi njoftoi largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste në Kuvend, deputetja Marjana Koçeku ka habitur me një postim të bërë në rrjetet sociale ku lë të kuptohet se është kërcënuar nga grupi kriminal i Bajrajve. *Koçeku paralajmëroi grupin se nëse diçka e keqe u ndodh familjarëve të saj, atëherë ajo do t’i bënte të paguanin. *Nuk vonoi as reagimi i avokatit të Bajrajve, Sokol Tahiraj i cili tha se deputetja nuk ka asnjë provë ndaj klientëve të tij dhe se me këto deklarata po u denigronte figurën. *Policia thotë se nuk ka patur një kallëzim nga ana e Koçekut.

2 Postime
4 ORE ME PARE

Koçeku denoncoi kërcënimet, reagon avokati i Bajrajve: Po denigron pa prova

3 ditë pas largimit nga PS, Koçeku kërcënohet nga grupi

Pas shkrimit të bërë nga deputetja Marjana Koçeku në rrjetet sociale ku denoncoi kërcënimet që grupi kriminal i Bajrajve i ka bërë familjarëve të saj, ka reaguar edhe avokati i grupit të lartpërmendur.

Sokol Tahiraj shprehet se deklaratat e deputetes kanë krijuar një klimë tensioni dhe kanë nxitur denigrimin e klientëve të tij. Sipas Tahirajt, ligjvënësja nuk ka asnjë provë për të bazuar pretendimet e saj për kërcënim, ndërsa shtoi se po analizojnë rrugët ligjore për deklaratat e Koçekut.

Reagimi i plotë:

Në lidhje me deklaratat e bëra publikisht nga deputetja Marjana Koçeku, të cilat përmendin klientët tanë dhe i referohen atyre me etiketime denigruese e paragjykuese, ndjejmë detyrimin të sqarojmë opinionin publik se këto deklarata janë të pabazuara në prova dhe përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj dinjitetit, reputacionit dhe të drejtave themelore të personave që ne përfaqësojmë.

Në një shtet të së drejtës, askush nuk mund të shpallet fajtor apo të etiketohet publikisht mbi bazën e deklaratave politike, perceptimeve personale apo insinuatave mediatike. Çdo pretendim për përgjegjësi penale duhet të mbështetet në prova dhe të vlerësohet vetëm nga organet kompetente të drejtësisë, e jo nga deklarata publike me karakter denigrues.

Deklaratat e deputetes, të cilat përmendin klientët tanë në një kontekst kërcënues dhe stigmatizues, cenojnë parimin e prezumimit të pafajësisë, të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Për më tepër, gjuha e përdorur në reagimin e saj publik nuk kontribuon në debatin demokratik dhe as në informimin e publikut, por krijon një klimë tensioni dhe paragjykimi ndaj personave të përmendur, duke synuar dëmtimin e reputacionit të tyre dhe të familjeve të tyre.

Për këto arsye, po shqyrtojmë me seriozitet të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e interesave të klientëve tanë, përfshirë kallëzimet pranë organeve kompetente dhe ndjekjen e procedurave ligjore për çdo deklaratë që rezulton e pavërtetë, shpifëse apo cënuese të të drejtave të tyre.

Ftojmë zonjën Koçeku që, nëse disponon prova konkrete për çdo pretendim të bërë publikisht, t’i paraqesë ato pranë institucioneve përgjegjëse sipas ligjit dhe jo të zhvillojë gjyqe publike në media apo rrjete sociale.

Klientët tanë do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtat e tyre me mjetet që garanton ligji, ndërsa ne, si përfaqësues ligjorë, do të reagojmë ndaj çdo përpjekjeje për t’i dëmtuar ata përmes deklaratave të pabazuara dhe denigruese.

AVOKAT SOKOL TAHIRAJ

Përfaqësues Ligjor. Versus.al

6 ORE ME PARE

U kërcënua nga grupi Bajri? Deputetja Koçeku: Po prekët familjen time, do ju shkatërroj!

3 ditë pas largimit nga PS, Koçeku kërcënohet nga grupi
Deputetja Marjana Koçeku, Safet Bajri i cilësuar si 'kreu i grupit Bajri'

Një postim i bërë së fundmi nga deputetja Marjana Koçeku në rrjetet sociale, ka ngritur dyshimet se ajo mund të jetë kërcënuar nga anëtarë të grupit Bajri në Shkodër.

Koçeku paralajmëron grupin e Bajrajve se në rast se familjes së saj i ndodh diçka, do t’i shkatërrojë.

“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”- shkruan ajo në rrjetet sociale.

Tre ditë më parë, Koçeku dha dorëheqjen nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste duke dalë në krah të protestave masive që zhvillohen në vend prej javësh për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Pas dorëheqjes, Koçeku u kritikua nga socialistët të cilët i kërkuan të linte mandatin me arsyetimin se nuk e kishte fituar vetë pasi kishte qenë në listën e mbyllur. Koçeku u përgjigj ndaj tyre duke i ftuar të përballen në zgjedhje të parakohshme. Versus.al

Poll