Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sot dhjetëra mijëra persona janë mbledhur sërish në ditën e 14-të të protestës së nisur që më 31 maj për Zvërnecin që tanimë ka si kërkesë kryesore dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të klasës së vjetër politike. *Në këtë protestë pati pjesëmarrës të shumtë të ardhur nga diaspora shqiptare dhe rrethe të ndryshme të Shqipërisë. *Gjatë kësaj proteste pati thirrje të ndryshme mes të cilave edhe kërkesa për rikthimin e Altin Dumanit në krye të SPAK duke i kërkuar këtij të fundit që të nisë me arrestimet e politikanëve të korruptuar.
Bulevardi i mbushur plot, protestuesit nisin marshimin në Tiranë pas 3 orëve protestë

Dhjetëra mijëra protestues kanë nisur me marshimin nëpër rrugët e Tiranës pas më shumë se 3 orëve protestë në ditën e 14-të të tubimeve ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Mer thirrjet "nesër më shumë" protestuesit nisën marshimin nëpër kryeqytet, veprim që është kthyer në zakon dhe zgjat për disa orë.
Në protestën e sotme ishin të pranishëm mijëra shqiptarë të diasporës të cilët bënë thirrje për qeveri teknike dhe dorëheqjen e politikanëve që kanë dominuar skenën politike të vendit për 35 vitet e fundit. Versus.al
“Altin Dumani rikthehu në krye të SPAK dhe nis arrestimet”, thirrja e protestuesve para godinës së qeverisë

Njëri prej organizatorëve të protestës masive që vijon prej 2 javësh në Tiranë, Alben Kola foli para protestuesve të cilëve u drejtoi pyetjen nëse duan që Altin Dumani të rikthehet sërish në krye të SPAK-ut.
Pasi përgjigjia në kor ishte “po”, ai i bëri thirrje Dumanit që të fillojë me arrestimet e politikanëve tradhtarë duke shtuar se populli ka besim tek SPAK.
“A jeni dakord për rikthimin e Altin Dumanit edhe një mandat për të përfunduar misionin e nisur për arrestimin e kësaj klase politike të korruptuar? Pooo! Altin Dumani rikthehu, merr frenat e SPAK-ut dhe fillo arrestimet sa më parë. SPAK vepro sa më parë, ke besimin e popullit shqiptar që kërkon arrestimin e mafias oligarkike dhe të politiqenëve tradhtarë sa më shpejt. Duam drejtësi!”- tha Kola duke vijuar më pas me thirrjet për dorëheqjen e Ramës nga posti si kryeministër. Versus.al
“E çova në shkollë dhe nuk m’u kthye”, nëna e Martin Canit në protestë: Poshtë kjo qeveri e krimit!

Mamaja e Martin Canit, 14 vjeçarit që u vra në 2024 pak metra larg shkollës së tij pas sherrit me një bashkëmoshatar, ishte e pranishme në protestën e sotme përballë qeverisë.
Ajo tha se Rama duhet të japë dorëheqjen pasi nuk ka arritur të garantojë sigurinë, zhvillimin e arsimit, apo kushtet shëndetësore në spitale pas kaq vitesh si kryeministër.
“Mendova të ngrej zërin për fëmijën tim dhe fëmijët shqiptarë kudo që janë. Duam siguri, e çova në shkollë dhe nuk m’u kthyenga pakujdesia sepse është degraduar arsimi, shëndetësia e të gjitha me radhë. Qeveri e krimit! Zemra më mbushet plot që e shoh Tiranën të mbushur me rini. Dua drejtësi, poshtë kjo qeveri e krimit, poshtë Edi Rama!”- tha ajo. Versus.al
Plaga e emigrimit masiv, instalacioni i vendosur nga protestuesit: Nga një palë këpucë për çdo të larguar

Mijëra qytetarë u mblodhën para kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe fundin e tranzicionit 35 vjeçar. Njëra prej aktivisteve që mori pjesë sot në protestën e Rrjollit ku u hoq teli me gjemba i vendosur nga biznesmeni Bashkim Ulaj, tha se kishte marrë me vete një pjesë të gardhit.
Këtë e konsideroi si simbolikë për t’i treguar qeverisë që nuk ka gardh që i ndal dot shqiptarët. Ndërsa prezantoi edhe instalacionin me këpucë që simbolizonte të larguarit jashtë vendit.
“Ne po vazhdojmë një betejë madhështorë për t’i rikthyer dinjitetin Shqipërisë dhe për t’i dhënë fund tranzicionit”-tha aktivistja mes të tjerash. Versus.al
Me flamuj amerikanë e britanikë, edhe diaspora zbarkon në Tiranë! Nis protesta e 14-të kundër qeverisë

Mijëra qytetarë shqiptarë të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit, por edhe nga diaspora, kanë nisur sot protestën e 14-të në Tiranë.
Me flamurin kuqezi në qendër dhe flamujt amerikanë e britanikë, protestuesit janë drejtuar për tek kryeministria aty ku prej 2 javësh mblidhen çdo mbrëmje për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe të klasës së vjetër politike të vendit.
“Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe “revolucion’ janë disa prej thirrjeve në kor të protestuesve të cilët janë shtuar edhe më shumë në numër. Versus.al

