Live Updates /

4 ditë pa ujë, vlonjatët tentojnë të hyjnë brenda bashkisë: Jemi në prag epidemie! Kryebashkiakja: Protesta organizohet nga opozita

*Prej 4 ditësh qytetarët e Vlorës kanë mbetur pa ujë të pijshëm si pasojë e një defekti të rëndë në sistemin e ujësjellësit. Mbrëmjen e djeshme situata përshkallëzoi pasi qytetarët u futën me dhunë dhe ndërprenë mbrëmjen gala që bashkia kishte organizuar në teatrin e qytetit. *Me bidona në duar protestën e kanë vijuar edhe ditën e sotme para bashkisë së Vlorës ku i kanë bërë thirrje kryebashkiakes Brunilda Mersini për dorëheqje ndërsa mbanin në duar bidonat e boshatisur. Në hyrje janë përplasur me efektivët e policisë të cilët nuk i kanë lënë të futen në bashki. *Përgjatë këtyre ditëve shumë qytetarë kanë blerë ujë të ambalazhuar ose kanë mbushur ujë në det dhe tek “Uji i ftohtë”. Në ankesat të cilat i kanë shprehur për mediat ata thonë se rrezikohen nga një epidemi e mundshme.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Prej 4 ditësh qytetarët e Vlorës kanë mbetur pa ujë të pijshëm si pasojë e një defekti të rëndë në sistemin e ujësjellësit. Mbrëmjen e djeshme situata përshkallëzoi pasi qytetarët u futën me dhunë dhe ndërprenë mbrëmjen gala që bashkia kishte organizuar në teatrin e qytetit. *Me bidona në duar protestën e kanë vijuar edhe ditën e sotme para bashkisë së Vlorës ku i kanë bërë thirrje kryebashkiakes Brunilda Mersini për dorëheqje ndërsa mbanin në duar bidonat e boshatisur. Në hyrje janë përplasur me efektivët e policisë të cilët nuk i kanë lënë të futen në bashki. *Përgjatë këtyre ditëve shumë qytetarë kanë blerë ujë të ambalazhuar ose kanë mbushur ujë në det dhe tek “Uji i ftohtë”. Në ankesat të cilat i kanë shprehur për mediat ata thonë se rrezikohen nga një epidemi e mundshme.

6 Postime
54 MINUTA ME PARE

Drejtori i AKUK, Flauers Shoshi: Kam 72 orë këtu, edhe unë jam pa larë! Furnizimi me ujë rikthehet brenda mesnatës!

4 ditë pa ujë, vlonjatët tentojnë të hyjnë brenda
Flauers Shoshi

Pas katër ditësh pa furnizim me ujë, banorët e Vlorës kanë bllokuar mëngjesin e sotëm aksin rrugor kryesor të qytetit në shenjë proteste.

Në vendngjarje ka mbërritur Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Flauers Shoshi, i cili iu bashkua banorëve dhe kërkoi ndjesë për situatën e krijuar.

Shoshi tha se ekipet teknike kanë ndërhyrë disa herë për riparimin e defektit, por problemet me presionin e ujit e kanë bërë të vështirë zgjidhjen.

Ai shtoi se pajisjet e nevojshme për ndërhyrje përfundimtare janë tashmë në mbërritje, ndërsa puna po vijon me intensitet.

“Furnizimi me ujë do të rikthehet brenda mesnatës së sotme,” garantoi drejtori Shoshi, duke theksuar se autoritetet janë të angazhuara për të rikthyer normalitetin në qytet sa më shpejt të jetë e mundur.

“Kam 72 orë që jam këtu dhe nuk kisha ku të lahem. E di shqetësimin tuaj, ju kërkoj ndjesë për shqetësimin tuaj, problem shqetësim e marrim si të doni juve.

Që ta dëgjojmë dhe të komunikojmë me njëri-tjetrin. Për çfarë të gënjej? Do më dëgjosh tani? Atëhere ju lutem ta respektojmë njëri tjetrin që ta dëgjojmë njëri-tjetrin. Kemi tentuar tre herë ta bëjmë defektin por nuk ja kemi arritur për shkak të presioneve. Nëse nuk besoni hajdeni ta shikoni. Pajisjet janë duke ardhur dhe sot qytetarëve do ti rikthehet furnizimi me ujë në mesnatë. Kjo është fjala ime. Sot në mesnatë do t'iu vijë uji”, tha ai./Versus.al

1 ORE ME PARE

Vlora 4 ditë pa ujë, kryebashkiakja: Fatkeqësi natyrore, protestat i organizon opozita

4 ditë pa ujë, vlonjatët tentojnë të hyjnë brenda

Ndërkohë që qytetarët e Vlorës prej më shumë se 4 ditësh janë pa ujë dhe sot janë ngritur në protestë përballë bashkisë, kryebashkiakja Brunilda Mersini më shumë se tek gjetja e zgjidhjes fokusohet më së shumti tek organizatorët e protestës.

Teksa pretendon se problemi do të zgjidhet së shpejti, ajo thotë se nuk është momenti për të gjetur përgjegjës dhe se protestat po organizohen nga opozita.

“Mendoj që nuk është momenti të ndajmë përgjegjësitë. Ujësjellësi nuk është në varësi të bashkisë, por është momenti të menaxhojmë këtë fatkeqësi. Lajmi i mirë është se sot testimi ka rezultuar pozitiv në provën e fundit dhe një pjesë e qyteti, pra ajo e Lungomares me një presion minimal për të mos rritur niveli ne riskut derisa të bëjmë zgjidhjen përfundimtare. Pompa në këtë testim gradual do të fillojnë të furnizojnë pjesë të veçanta të qytetit. Por theksoj se në qytet operojnë prej 3 ditësh mbi 15 bote uji, por i kemi dhënë prioritet institucioneve. Protesta organizohet nga opozita dhe nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të opozitës. Nuk është momenti që të bëjnë opozitë me një fatkeqësi natyrore. Kjo është një analizë që i takon ndërmarrjes së ujësjellësit. Lajmi i mirë është që pjesa është gjendur dhe është duke mbërritur në aeroportin e Rinasit”, tha Brunilda Mersini. Versus.al

 

2 ORE ME PARE

“Jemi në prag epidemie”, qytetari në Vlorë: Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme

4 ditë pa ujë, vlonjatët tentojnë të hyjnë brenda

Qindra qytetarë të revoltuar po protestojnë sot para bashkisë së Vlorës për mungesën e ujit prej 4 ditësh. Ata kanë ngritur alarmin për mundësinë e përhapjes së një epidemie, ndërsa kërkojnë që pushteti qendror dhe vendor të mbajnë përgjegjësi për gjendjen.

Njëri prej qytetarëve tha se autoritetet u janë justifikuar duke u thënë se pjesa që ka shkaktuar problemin do të sillet nga Mali i Zi ndërkohë që sipas tij, për atë problem janë bërë tendera me vlerë miliona euro.

“Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, të vijë prefektja, kryebashkiakja, Vlora është në alert, jemi në prag të një epidemie. Kemi hyrë në ditën e pestë pa ujë. Ka 4 ditë që bëjnë propagandë, jo do vijë pjesa nga Mali i Zi, jo nga Selaniku, po pjesët që kanë qenë këtu janë tenderuar miliona euro. Kjo është bashkia e turpit i uzurpatorëve që kanë 26 vite e kanë katandisur Vlorën në këtë derexhe. Zonja e 7% të dali e të japë llogari për 26 vite keqmenaxhim që i kanë bërë. Sot Vlora nuk është më Vlorë. Kryebashkiakja të vijë e të japë shpjegime para qytetarëve, jemi vlonjatët e Ismail Qemalit, jo të huaj”- tha qytetari. Versus.al

 

2 ORE ME PARE

"Duam ujë, jep dorëheqjen", qytetarët e Vlorës protestojnë para bashkisë, tentojnë të hyjnë brenda

4 ditë pa ujë, vlonjatët tentojnë të hyjnë brenda
Protesta në bashkinë e Vlorës

Ashtu siç kishin njoftuar, qytetarët e Vlorës nisën protestën në orën 10:00 para bashkisë së qytetit duke kërkuar që të futen brenda dhe të takohen me kryebashkiaken Brunilda Mersini.

Kjo e fundit nuk ka bërë asnjë reagim edhe pas protestës së mbrëmshme ku qytetarët e Vlorës u futën në teatër teksa mbahej mbrëmja gala e organizuar nga bashkia në kuadër të festës së Vitit të Ri.

Sot me bidonë në duar, qytetarët kanë kërkuar furnizimin e menjëhershëm me ujë, por edhe dorëheqje të kryebashkiakes Mersini e cila u zgjodh kryetare më 9 nëntor me pjesëmarrjen e 12.54% të qytetarëve me të drejtë vote. Versus.al

4 ORE ME PARE

Vijon skandali në Vlorë, dita e katërt pa ujë, qytetarët mbushin bidonat tek ‘Uji i Ftohtë’

4 ditë pa ujë, vlonjatët tentojnë të hyjnë brenda

Në Vlorë qytetarët janë prej katër ditësh pa ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre. skandali vijon edhe ditën e sotme, ndërkohë që vlonjatët kanë paralajmëruar të mbajnë një protest në orën 10:00 para bashkisë.

Defekti i shkaktuar në linjën kryesore të transmetimit ka ndërprerë furnizimin duke krijuar situatë problematike.

Për shkak të këtij problemi, qytetarët janë detyruar të blejnë ujë të ambalazhuar vazhdimisht ose t’u drejtohen burimeve natyrore kryesisht në zonën e Ujit të Ftohtë ku gjatë mbrëmjes kanë mbushur bidonët me ujë.

Gjatë mbrëmjes së djeshme protestuesit e revoltuar prishën mbrëmjen gala të organizuar nga bashkia në teatrin e qytetit me rastin e festave të fundvitit. Versus.al

4 ORE ME PARE

“Situata drejt normalitetit”, deputeti i PS në Vlorë ‘kryqëzohet’ nga ndjekësit: Turp, të paktën mos fol!

4 ditë pa ujë, vlonjatët tentojnë të hyjnë brenda
Deputeti Ardit Bido, protesta e qytetarëve të Vlorës

Vlora prej pothuajse 4 ditësh është në një gjendje alarmante pa ujë në të gjithë qytetin. Mbrëmjen e djeshme, situata u përshkallëzua pasi një grup qytetarësh u mblodhën dhe hynë në teatrin ku bashkia organizonte mbrëmjen gala.

Duke parë gjendjen, deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Ardit Bido postoi një shkrim në rrjetet sociale ku pretendonte se situata po shkon drejt normalizimit dhe se problemi mund të zgjidhet brenda të hënës.

“Pas më shumë se 72 orësh pune intensive në terren, ka sinjale pozitive se avaria e rëndë në sistemin e furnizimit me ujë në Vlorë mund të zgjidhet brenda ditës së nesërme. Ka qenë një situatë e vështirë dhe e lodhshme për qytetarët. Shqetësimi i tyre është i drejtë dhe i kuptueshëm, pasi mungesa e ujit për disa ditë rresht nuk mund të jetë realiteti i një qyteti si Vlora. Sipas informacioneve nga terreni, ndërhyrjet janë në fazën përfundimtare dhe po punohet për rikthimin gradual të furnizimit”- shkroi deputeti ndër të tjera.

Por ky reagim i tij nuk është pritur mirë nga ndjekësit e tij në rrjetet sociale, të cilët më së shumti duken të jenë banorë të Vlorës të cilët i kërkojnë që në situatë të tillë të heshtë dhe të mos përpiqet të nxjerrë justifikime.

4 ditë pa ujë, vlonjatët tentojnë të hyjnë brenda 4 ditë pa ujë, vlonjatët tentojnë të hyjnë brenda   4 ditë pa ujë, vlonjatët tentojnë të hyjnë brenda  

Mbrëmjen e djeshme pati edhe persona të shoqëruar nga policia për protestën e zhvilluar brenda teatrit të Vlorës. Ndërsa nga ana e kryebashkiakes Brunilda Mersini nuk ka patur asnjë reagim për këto zhvillime të ngjarjeve. Versus.al

Poll