Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në konferencën e mbajtur për prezantimin e kompanisë “Albanian Digital Solution” që do të ketë si synim modernizimin e shërbimeve digjitale. *Krahas deklaratave për këtë çështje ai foli edhe për çështjen e tokës së rrethuar me gardh metalik në zonën e Zvërnecit në bregdetin që njihet si zonë e mbrojtur. Ai tha se shteti nuk ka asgjë dhe se zona për të cilën bëhet fjalë është pronë private dhe investitorët janë seriozë. *Përsa i takon digjitalizimit, ai tha se do të vijohet me integrimin e agjentëve IA në administratë për të lehtësuar punën e ministrive.
"E kaluam Shqipërinë nga epoka e gurit në digjitalizim", Rama: Do përdorim agjentë 'IA' në administratë

Kryeministri Edi Rama tha se qeverisja e PS pati si fazë të parë kalimin e vendit nga "epoka e gurit" siç e quajti ai tek epoka e digjitalizimit.
Sipas Ramës, tanimë qeverisja është në fazën e tretë që ka të bëjë me administratën inteligjente. Ai shtoi se ka nisur projekti i futjes së agjentëve të Inteligjencës Artificiale në administratë me qëllim transformimin e ministrive.
“Faza e parë e qeverisjes sonë ishte kalimi nga epoka e gurit dhe drurit në epokën digjitale, me krijimin e platformave. Faza e dytë ishte digjitalizimi shërbimeve, tani jemi në fazën e tretë që është faza e administratës inteligjente. Nuk fola se çfarë komponentësh të AI ka në kompanitë që kam lart, por dua të them që sot ne kemi nisur jo vetëm projektin e madh të transformimit revolucionar të transformimit të Ministrive, por edhe të futjes së agjentëve me AI në nivelin e parë të qeverisjes.
Kemi filluar me Ministritë dhe sektorët e financave edhe shërbimet juridike të Ministrive, për të kaluar në përdorimin e agjentëve të AI për t’i dhënë shpejtësi dhe integritet profesional edhe një cilësi të gjitha akteve që lidhet me financat dhe shërbimet juridike. Po e përdorim gjerësisht AI në përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE. Po e përdorim AI në tatime gjerësisht.
E gjithë kjo është çfarë ka të bëjë me një shtet i cili funksionon mbi teknologjinë, i cili duke funksionuar mbi teknologjinë bëhet një shtet më efikas për qytetarin, por nga ana tjetër që ne të shkëlqejmë në vijimësi duhet që i gjithë kositemi i novacionit të ngrihet në një nivel tjetër”, tha Rama ndërsa foli edhe për shembujt e suksesshme të start up-eve në Shqipëri që sipas tij kanë bërë që sot në vendin tonë të prodhohen ambulanca, makina ushtrie e policie që eksportohen jashtë vendit. Versus.al
“AKSHI, histori e jashtëzakonshme suksesi”, Rama prezanton ADS: Do të kursejë kostot e mirëmbajtjes
Kreu i qeverisë, Edi Rama ka prezantuar sot “Albanian Digital Solution”, platformën e re digjitale krahas AKSHI-t që synon modernizimin e shërbimeve dhe forcimin e inovacionit teknologjik në vend.
Pavarësisht skandalit të zbuluar pas hetimeve të SPAK, Rama e konsideroi AKSHI-n “histori të jashtëzakonshme suksesi” dhe shprehu bindjen se ka arritur të lehtësojë shumë procedura të qytetarëve shqiptarë duke i përmbledhur në një platformë të vetme pa qenë nevoja të paraqiteshin diku fizikisht.
“Është një ditë e shënuar në rrugën e revolucionit digjital dhe transformimit rrënjësor të qeverisjes së vendit nëpërmjet teknologjisë sepse sot ne bëjmë publike një kompani të re, shoqëri të re, e cila krijohet si një domosdoshmëri në këtë fazë të re. AKSHI është një histori e jashtëzakonshme suksesi e cila ka kaluar përmes një rruge aspak të lehtë, një rrugë që ka nisur me një grusht shërbimesh dhe që pastaj ka kulmuar në 1200 e kusur shërbime publike online. Një rrugëtim që ka nisur me një grusht njerëzish dhe që ka kulmuar me mbi 3 milionë përdorues si rezultat edhe i momentit dramatik të pandemisë.
E-Albania u bë shpëtimtarë për shëndetin e shqiptarëve, të cilët përmes saj mundën të zbatojnë edhe masat e domosdoshme kufizuese, një rrugë ku sigurisht nevoja për financim ka ardhur duke u rritur pasi sistemet e ndërtuara kërkojnë financim qoftë për tu ndërtuar qoftë edhe për tu mirëmbajtur, një rrugë ku qartësisht lindi nevoja për të ndarë udhëheqjen e qeverisjes elektrike për përcaktimin e standardeve, koordinimin e forcave të përfshira dhe kontrollin e cilësisë dhe përputhshmërisë dhe gjithë nivelit operacional”-tha Rama.
Sipas tij, ADS do të mund të kursejë paratë që shteti paguan për mirëmbajtjen e sistemeve.
“Një kompani që të garantojë të gjitha vazhdimësinë teknike dhe të ofrojë përgjegjshmërinë institucionale dhe qytetare në raport me publikun duke garantuar njëkohësisht matshmërinë e shërbimit. Kjo është ambicia e cila ka një faturë shumë domethënëse, shumë kuptimplotë, e shtuar në bazë të një projeksioni, të pikërisht shifrave që ndryshojnë, me ndryshimin e qasjes së qeverisë dhe të qeverisë elektronike në baze të marrësve të shërbimit. Në rast se sot shpenzojmë x për vetëm mirëmbajtjen e sistemeve, një shumë e konsiderueshme që i shkon kompanive private brenda një harku 3-vjeçar do t’i kursejmë shtetit dhe vetë qeverisjes elektronike një shumë të barabartë më shumën që sot shkon për mirëmbajtjen e cila faktikisht do të mund të kthehet në një kapacitet të ri investimesh për AKSHI-n nëpërmjet Albanian Digital Solution Sh.A.”- shtoi kryeministri. Versus.al
“Shteti aty nuk ka asgjë”, Rama për Zvërnecin: Është tokë private 'dem baba dem', investitorët janë seriozë

Kreu i qeverisë, Edi Rama gjatë prezantimit të “Albanian Digital Solution Sh.A.” foli edhe për protestat që janë zhvilluar së fundmi në Vlorë përsa i takon një projekti në Zvërnec ku qindra hektarë tokë janë rrethuar me gardh metalik.
Rama i quajti të pavërteta pretendimet se shteti po fal tokë dhe tha se sipërfaqja për të cilën bëhet fjalë është private.
“Medemek se shteti po falë Zvërnecin. Shteti nuk fal asgjë, sepse aty shteti nuk ka asgjë. Aty është një pronë private dembabadem. Investitorët e përfshirë në atë projekt janë tejet serioz sepse atë pronë e kanë marrë nga private. Shteti ka pasuri në anën tjetër të projektit që është ishulli i Sazanit ku ende sot nuk kanë mbaruar negociatat pasi korporata shqiptare e investimeve është pjesë e projektit. Shteti shqiptar do jetë aty, toka e ishullit do jetë aty e shtetit shqiptar. Kompania tjetër që kemi krijuar që është kompani publike me partneritet privat është Albtrace që ka marrë të gjitha ato koncesione të dështuara më parë. Koncesioni i markimit të naftës apo koncesioni i pullave fiskale kanë qenë koncesione të dështuara. Sot janë aktivitete të ligjzbatimit të cilat i bën një kompani publike me përfshirjen e një partneri tjetër shtetëror, Emiratet e Bashkuara dhe me ekselencën që vjen nga private”- u shpreh Rama. Versus.al

