Çfarë do të gjeni në brendësi
*Pas riparimit të tubit kryesor, ka nisur furnizimi me ujë për zonën e Lungomares në Vlorë pas 5 ditësh mungese, ndërsa për pjesën tjetër të qytetit furnizimi do të normalizohet gjatë orëve të pasdites. *Drejtori i Ujësjellësit të Vlorës, Ermal Murati tha se gjendja po shkon drejt normalitetit. Ndërsa në një njoftim të bërë nga institucioni, qytetarëve u bëhet thirrje që gjatë 48 orëve të para të nisjes së furnizimit me ujë, të mos e konsumojnë për ta pirë ose për të gatuar. *Ndërkohë pas revoltës së shkaktuar tek qytetarët, Murati ka bërë me dije se pasi e gjithë avaria të ketë përfunduar, do të ketë edhe një vlerësim për ngjarjen e ndodhur për të cilën u desh të porositej një pjesë shtesë nga Turqia.
Pas riparimit, ujësjellësi i Vlorës NJOFTON QYTETARËT: Mos e pini ujin që ju vjen në çezme dhe mos e përdorni për të gatuar
Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë ka përfunduar riparimin e defektit të rëndë në rrjetin e furnizimit me ujë, duke rivendosur sistemin në funksion që në orët e para të mëngjesit.
Zonat me furnizim 24-orësh kanë nisur tashmë të marrin ujë, ndërsa pjesa tjetër e qytetit do të furnizohet gradualisht gjatë orëve të pasdites, sipas njoftimit zyrtar.
Për shkak të protokollit të kontrollit të cilësisë së ujit në bashkëpunim me Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, qytetarët kërkohen të mos e përdorin ujin për pije ose gatim për 48 orët e para, por vetëm për përdorim të jashtëm.
Njoftimi i plotë:
Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, njofton qytetarët për përfundimin e riparimit të avarisë së rëndë në rrjetin e furnizimit me ujë.
Sistemi i prodhimit është vendosur në funksion prej orëve të para të mëngjesit.
Zona 24 orëshe ka nisur furnizimin me ujë.
Pjesa tjetër e qytetit do të furnizohet në orarin e pasdites.
Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor do të ndjek protokollin zyrtar për kontrollin e cilësisë së ujit dhe matjen e parametrave.
Ne keto kushte kërkojmë mirëkuptimin tua,j që uji të përdoret vetëm për përdorim të jashtëm për 48 orët e para, jo për konsum dhe gatim.
Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin e krijuar gjatë këtyre ditëve dhe ju falenderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj!
Nisja e furnizimit me ujë, drejtori i Ujësjellësit të Vlorës: Gjatë pasdites, situata i rikthehet normalitetit
Pas pesë ditësh, ka nisur furnizimi me ujë në depot e qytetit të Vlorës. Drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë, Ermal Murati tha se tashmë ka nisur furnizimi i një pjese të qytetit dhe se situata po i kthehet normalitetit.
Ai u kërkoi falje qytetarëve ndërsa shtoi se do ketë një vlerësim për të gjithë situatën.
“Pajisja e vendosur tashmë është në rregull. Situata është monitoruar dhe jemi mirë. Po furnizohet një pjesë e qytetit, ndërsa depot janë duke marrë ujë. Ishte një dëmtim shumë i rëndë, por tashmë mund të themi që jemi në fund të avarisë, fatmirësisht. Pati një angazhim maksimal nga të gjithë: AKUK, bashkia dhe Qeveria Shqiptare. Ndjesë qytetarëve për problematikën. Natyrisht që më pas do të ketë një vlerësim për të gjithë këtë situatë”, u shpreh Murati.
Ditën e djeshme pati përplasje mes banorëve të Vlorës të cilët protestuan për mungesën e ujit dhe përfaqësuesve të bashkisë dhe Ujësjellësit. Protestuesit ankoheshin për mungesën e marrjes së masave për raste emergjente, ndërsa kryebashkiakja Brunilda Mersini tha se protesta ishte organizuar nga opozita dhe këshilltarë bashkiakë. Versus.al
Vlora 5 ditë pa ujë, defekti i tubit kryesor rregullohet në orët e para të mëngjesit! Nis furnizimi i pjesshëm

Pas 5 ditëve në mungesë totale të furnizimit me ujë, sot ka nisur furnizimi në një pjesë të qytetit të Vlorës, në zonën e Lungomares. Ndërsa pjesa tjetër e qytetit pritet të furnizohet me ujë gjatë orëve në vazhdim.
Gjatë natës mbërritën pajisjet e porositura në Turqi të cilat u transportuan me eskortë policie. Ndërsa dhjetëra punonjës të ujësjellës kanalizimeve në Vlorë punuan për të riparuar tubin kryesor i cili ishte çarë dhe kishte sjellë mungesën e furnizimit me ujë. Pajisja u instalua në mëngjesin e sotëm rreth orës 4:00 dhe është duke funksionuar edhe pse jo ende me kapacitet të plotë pasi do bëhet gradualisht.
Mbrëmjen e së dielës dhe mëngjesin e së hënës, banorët e Vlorës u ngritën në protestë duke shprehur frustrim për situatën ku ndodheshin me mungesën e ujit. Shumë prej tyre u detyruan që të mbushnin ujë në burimet natyrore. Versus.al

