
Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të kritikojë Perëndimin dhe vlerat perëndimore në daljet e tij publike, një hetim i publikuar nga organizata mediatike Radio Europa e Lirë ngre pretendime që paraqesin një realitet ndryshe brenda rrethit të tij familjar.
Sipas dokumenteve të siguruara nga njësia hetimore “Systema”, dy djemtë që mediat i lidhin me Putinin dhe ish-kampionen olimpike të gjimnastikës ritmike Alina Kabaeva, po rriten dhe edukohen nga një ekip prej rreth 20 mësuesish privatë dhe dadoje të huaja.

Raporti pretendon se shumica e stafit vjen nga Gjermania dhe Britania e Madhe, por edhe nga vende të tjera si Austria, Irlanda, Bosnja dhe Hercegovina, Zelanda e Re dhe Afrika e Jugut. Sipas dokumenteve, shpenzohen çdo vit qindra mijëra euro për edukimin e dy djemve, të identifikuar si Ivan, i lindur në vitin 2015, dhe Vladimir, i lindur në vitin 2019.
Mësuesit kanë për detyrë t’u mësojnë fëmijëve anglishten dhe gjermanishten në nivele të krahasueshme me ato të arsimit perëndimor. Në të njëjtën kohë, dokumentet përcaktojnë tema që nuk duhet të diskutohen me ta, përfshirë çështjet që lidhen me seksualitetin, identitetin gjinor dhe komunitetin LGBTQ+.

Sipas hetimit, mësuesit dhe dadot punojnë kryesisht në rezidencën e Putinit pranë liqenit Valdaj, mes Moskës dhe Shën Petersburgut, si dhe në rezidencën e tij në qytetin bregdetar të Soçit. Ata i nënshtrohen kontrolleve të rrepta të sigurisë, ekzaminimeve të shpeshta mjekësore dhe, në raste të caktuara, periudhave karantine.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se lëvizja e stafit të huaj është e kufizuar. Në një komunikim të vitit 2022, një mësuese britanike ishte informuar se nuk mund të dilte lirshëm për pazar apo vizita turistike dhe se çdo nevojë do t’i sigurohej përmes personelit të sigurisë.
Paga e stafit varion nga rreth 1.400 deri në 7.000 euro në muaj, shumë më tepër se paga mesatare në Rusi. Të gjithë përfitojnë akomodim dhe kushte të veçanta jetese, por gjithashtu janë të detyruar të respektojnë rregulla strikte konfidencialiteti.

As Putini dhe as Kabajeva nuk përmenden drejtpërdrejt në dokumentet e publikuara. Megjithatë, sipas autorëve të hetimit, ekzistojnë një sërë elementësh që i lidhin dokumentet me familjen e presidentit rus. Kremlini nuk ka komentuar mbi këto pretendime, ndërsa Putini dhe Kabajeva nuk kanë konfirmuar kurrë publikisht se kanë fëmijë së bashku.
Presidenti rus ka qenë i martuar më parë me Lyudmila Putina, me të cilën ka dy vajza, dhe prej vitesh mban larg vëmendjes publike jetën e tij private.

