
Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur Bypass, ku u përplasën kokë më kokë një “Volkswagen” dhe një “Mercedes”.
Nga përplasja humbën jetën Klejdi Myftari 24 vjeç dhe Anxhelo Ruçi 28 vjeç, që udhëtonin në Volkswagen, si dhe Martin Dulaj 26 vjeç, i cili ndodhej në Mercedes.
Në të njëjtin mjet udhëtonte edhe Arsida Demiri 20 vjeç, e cila u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë, por me parametra jetësorë të qëndrueshëm.
Ngjarja ka tronditur komunitetin, ndërsa aktori i njohur i “Portokallisë”, Deivis Myslymi, ka reaguar në Instagram duke publikuar një foto me dy nga viktimat, të cilët i njihte personalisht. Në postim ai shkruante:
“Çfarë të them?! Pse m’i more, o Zot?! Një ‘pse’ që nuk merr përgjigje… Të lutem, m’i ruaj atje lart. Nuk do t’ju harroj kurrë, o vëllezër.”


