Sot pasdite (e martë, 18 Nëntor) dhe nesër (e mërkurë, 19 Nëntor), Shqipëria do të përballet me reshje të dendura në të gjithë territorin, sipas Institutit të Gjeoshkencave.
Parashikohen vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. Në zonat urbane, reshjet mund të shkaktojnë përmbytje të lokalizuara.
Rrezik i shtuar për përmbytje pritet gjithashtu në lumenjtë Drinos dhe Bistricë, ndërsa intensiteti i lartë i reshjeve gjatë ditëve në vijim do të rrisë prurjet në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm si Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Vjosa.
Parashikimi për sot dhe nesër:
Reshjet: Në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje shumë intensive, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë intensive deri lokalisht shumë intensive, të shoqëruara me shtrëngata.
Temperaturat 19 Nëntor:
Bregdeti: 14 / 18 °C
Vendet e ulëta: 12 / 17 °C
Vendet malore: 9 / 12 °C
Era: Do të fryjë mesatare deri e fortë, kryesisht në bregdet.
Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal, shmangie të lëvizjeve të panevojshme pranë lumenjve dhe zonave të rrezikuara nga rrëshqitjet e dherave, si dhe për të ndjekur me vëmendje paralajmërimet e mëtejshme meteorologjike./Versus.al
