MAGAZINË /

Arrestohet “Saimiri” / Pas ndjekjes policore në ish-Bllok, vihet në pranga Mishel Prela

Dikur protagonist në ekran, sot pas hekurave. 40 vjeçari u arrestua i dehur, nën efekt droge dhe pa patentë, pasi kreu mahovra të rrezikshme për punonjësit e policisë që i dhanë shenjë të ndalonte

Shkruar nga Versus

Arrestohet “Saimiri”  / Pas ndjekjes policore në ish-Bllok,

Fati ndonjëherë shkruan skenarë më të fortë se vetë filmat. Dhe për aktorin Mishel Prela, duket se realiteti ka marrë një kthesë dramatike që të kujton pikërisht rolet që e bënë të njohur. Nga një figurë e ekranit në filmin “Saimir”, ai është rikthyer në qendër të vëmendjes, këtë herë si protagonist i një ndjekjeje të vërtetë policore në zemër të Tiranës.

Ngjarja u nisi në zonën e ish-Bllokut, në rrugën Ibrahim Rugova, për të përfunduar pranë “Sheshit Wilson”, ku 40-vjeçari u ndalua pasi u pikas duke bërë manovra të rrezikshme me automjetin e tij. Por ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është fakti se Prela drejtonte mjetin në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike dhe pa leje drejtimi.

Skena që pasoi i ngjan një filmi aksion: pas sinjalit për ndalim nga policia, ai nuk iu bind urdhrit, por shtoi shpejtësinë, duke rrezikuar jetën e efektivëve dhe qytetarëve. Në tentativë për t’u larguar, ai përplasi edhe automjetin e policisë, ndërsa ndjekja vijoi për disa minuta në rrugët e ngarkuara të zonës më të frekuentuar të kryeqytetit.

Kapja e tij u bë e mundur pas ndërhyrjes së forcave “Shqiponja” dhe strukturave të tjera policore, duke i dhënë fund një episodi që nu kdihet sesi mund të kishte përfunduar. Edhe pas ndalimit, Prela ka kundërshtuar me dhunë efektivët.

Ky nuk është kontakti i parë i tij me ligjin. Emri i aktorit rezulton i njohur për autoritetet, me precedentë penalë dhe një histori të shënuar nga përplasje me drejtësinë.

Arrestohet “Saimiri”  / Pas ndjekjes policore në ish-Bllok,
Procesi ndaj autoreve te atentatit ndaj M.Preles

Ai i ka shpëtuar edhe një atentati në vitin 2017, ndërsa më herët është përfshirë në episode dhune në familje.

Ironia qëndron pikërisht këtu: një aktor që u bë i njohur për një rol që pasqyronte realitete të ashpra sociale, sot duket se po jeton një histori edhe më të errët jashtë ekranit, ku skenari nuk kontrollohet dhe pasojat janë reale.

Njoftimi

DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Thirrja”.

Në mesnatë, kreu manovra të rrezikshme, me automjetin që drejtonte në efektin e lëndëve narkotike, në efektin e alkoolit dhe pa leje drejtimi, kapet te sheshi “Wilson”, si rezultat i ndjekjes policore, 40-vjeçari.

Pasi iu bë shenjë ndalimi, ai shtoi shpejtësinë e automjetit, kreu manovra të rrezikshme për jëtën e punonjësve të Policisë, përplasi automjetin e tyre dhe gjatë shoqërimit, i kundërshtoi me dhunë.

Sekuestrohen automjeti tip “Volkswagen” dhe sasi lënde narkotike Kokainë që u gjet gjatë kontrollit në të.

Gjatë patrullimeve të shtuara gjatë fundjavës, me objektiva garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në rrugën “Ibrahim Rugova”, kanë konstatuar një shtetas që kryente manovra të rrezikshme me automjetin që drejtonte, dhe për këtë arsye i kanë bërë shenjë ndalimi.

Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të përsëritur, por ka shtuar shpejtësinë e lëvizjes, ka rrezikuar me manovra me automjet, jetën e punonjësve të Policisë, dhe pasi ka përplasur automjetin e tyre, është larguar.

Shërbimet i janë vënë menjëherë në ndjekje, dhe në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të operacionit të koduar “Thirrja”, kanë mundësuar kapjen pas disa minutash, te sheshi “Wilson”, dhe arrestimin e drejtuesit të automjetit, shtetasit M. P., 40 vjeç, banues në Tiranë. 40-vjeçari ka kundërshtuar me dhunë, efektivët, dhe gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ai e drejtonte automjetin, në efektin e lëndëve narkotike, në efektin e alkoolit dhe pa leje drejtimi. Gjatë kontrollit në automjet u gjet dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Poll