
Portugezi Jose Mourinho ka hedhur poshtë zërat që e lidhin me një rikthim të mundshëm te Real Madridi, duke insistuar se nga klubi madrilen nuk ka pasur asnjë kontakt.
Trajneri që aktualisht drejton Benficën, u pyet në konferencë për shtyp nëse mund të marrë drejtimin e “Los Blancos” këtë verë, por përgjigjja e tij ishte e prerë.
“Jo, askush nga Real Madridi nuk ka folur me mua, mund ta garantoj këtë”, deklaroi 63-vjeçari, duke shtuar se nuk ka asgjë tjetër për të komentuar rreth kësaj teme.
Ai kujtoi gjithashtu se kontrata e tij me Benficën ka ende edhe një vit vlefshmëri. Ai mori drejtimin e klubit nga Lisbona në shtator të vitit 2025, si pasues i Bruno Lage, i cili u shkarkua pas një humbjeje në Ligën e Kampionëve.
Tek galaktikët situata mbetet ende e tensionuar. Alvaro Arbeloa është në krye të ekipit vetëm që nga janari, por presioni mbi të është rritur ndjeshëm pas rezultateve zhgënjyese: eliminimi nga Bayern Munich në Ligën e Kampionëve, dalja e hershme nga Kupa e Mbretit, si dhe diferenca prej 14 pikësh me Barcelonën në La Liga. Versus.al

