
Maratona Klasike e Athinës njihet për emocionet dhe historitë që sjell çdo vit, por këtë herë, pista e vrapimit u shndërrua në një skenë dashurie të paharrueshme.
Vrapuesja turke Nur Aygun përfundoi garën e saj 10 kilometra në stadiumin historik Panathenaic pas 48 minutash e 30 sekondash. E lodhur, por e lumtur që kishte mbërritur në finish, ajo nuk e priste surprizën që e priste aty.
Në momentin që kaloi vijën e finishit, i dashuri i saj iu afrua me emocion dhe i propozoi për martesë, duke u gjunjëzuar përpara saj. Spektatorët shpërthyen në duartrokitje, ndërsa Nur, mes lotësh gëzimi, tha “Po!”
Ajo vendosi unazën simbolike në gisht dhe përqafoi të dashurin e saj, duke e kthyer fundin e garës në një fillim të ri, një moment që do të mbahet mend gjatë, jo vetëm për të dy, por edhe për të gjithë ata që patën fatin ta shihnin nga afër këtë skenë plot ndjenja dhe magji.
