MAGAZINË /

Edon Zhegrova zyrtarisht te Juventusi – Ja sa milion euro kushtoi transferimi

Ylli kosovar ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me “Zonjën e Vjetër”, që e mban të lidhur me bardhezinjtë deri në verën e vitit 2030. 

Shkruar nga Versus

Edon Zhegrova zyrtarisht te Juventusi – Ja sa milion euro kushtoi

Edon Zhegrova është zyrtarisht lojtari më i ri i Juventusit, një prej klubeve më të mëdha dhe me më shumë histori në futbollin evropian. Transferimi i tij u zyrtarizua mbrëmjen e së hënës nga vetë klubi italian dhe Lille, ish-skuadra e Zhegrovës.

Ylli kosovar ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me “Zonjën e Vjetër”, që e mban të lidhur me bardhezinjtë deri në verën e vitit 2030. 

Pas zyrtarizimit të transferimit të Edon Zhegrovës te Juventusi, klubi italian ka publikuar edhe detajet financiare të marrëveshjes me Lille.

Sipas njoftimit zyrtar nga “Zonja e Vjetër”, shuma bazë e transferimit është 14.3 milionë euro, të cilat do të paguhen brenda katër viteve financiare. Krahas kësaj, marrëveshja përfshin edhe një tarifë shtesë prej 1.2 milionë euro, si dhe bonuse deri në 3 milionë euro, të cilat varen nga përmbushja e objektivave sportive të lojtarit dhe klubit.

Edon Zhegrova zyrtarisht te Juventusi – Ja sa milion euro kushtoi

Ky është një nga transferimet më të rëndësishme për një futbollist nga Kosova dhe një hap i madh në karrierën e Zhegrovës, i cili pritet të debutojë me bardhezinjtë në muajin shtator.

Në moshën 26-vjeçare, Zhegrova nis aventurën e tij të parë në Serie A, në një prej klubeve më të mëdha të kontinentit, ku e pret konkurrencë e fortë dhe përgjegjësi e madhe. Trajneri Igor Tudor beson në cilësitë e tij dhe Juventusi i ka hapur dyert në një moment vendimtar të karrierës.

Zhegrova njihet për shpejtësinë shpërthyese, driblimet kreative dhe gjuajtjet nga distanca, tipare që pritet t’i shtojnë freski krahut të djathtë të Juventusit.

Edon Zhegrova e nisi karrierën në vendlindje, në Kosovë, para se të spikaste në akademitë e Standard Liege dhe Sint-Truiden në Belgjikë. U afirmua si profesionist me Genk, ndërsa shpërtheu te Basel në Zvicër. Në janar të vitit 2022 kaloi te Lille, ku në tri vite regjistroi 107 paraqitje, 26 gola dhe dhjetëra asiste, duke u bërë një nga lojtarët më të dashur për tifozët.

Klubi francez e përshëndeti largimin e tij me një deklaratë emocionuese:

“Lille është i lumtur që mori pjesë në zhvillimin e talentit të Edon Zhegrovës. Ai tani i bashkohet një klubi të madh evropian, Juventus, ku do të ribashkohet me ish-bashkëlojtarin Jonathan David.”

Zhegrova pritet të jetë gati për të debutuar më 13 shtator, në një nga ndeshjet më të mëdha të futbollit italian – derbin Juventus vs Inter, që luhet në Torino. Një skenë perfekte për prezantimin e tij para publikut bardhezi.

Megjithëse nuk ka luajtur që nga mesi i dhjetorit për shkak të një lëndimi, Juventusi ka besuar te cilësia dhe potenciali i tij, duke vendosur të investojë në të për të ardhmen. Për këtë arsye, trajneri i Kosovës, Franco Foda, e ka lejuar Zhegrovën të mos grumbullohet me ekipin kombëtar këtë javë, në mënyrë që të mbyllë transferimin dhe të fokusohet te rikuperimi i plotë.

 

Poll