
Ermal Mamaqi ka ndarë një rrëfim të rrallë dhe thellësisht personal në “Grida Duma Podcast”, ku zbulon se humori, arma që e bëri një nga figurat më të dashura të ekranit shqiptar, nuk lindi si dëshirë për famë, por si një nevojë për të sjellë paqe në familje.
Aktori dhe moderatori rrëfeu se aftësinë për të bërë humor e ka zhvilluar që herët, si një mënyrë për të ulur tensionet dhe për të zbutur konfliktet familjare.
“Në fakt, humori, kjo aftësi e imja, ka lindur nga një nevojë që unë kam pasur për të krijuar paqe në familjen time. Është pak e dhimbshme kur e kupton që këtë aftësi e kam zhvilluar për të ulur gjakrat. Kishte konflikte? Po, si çdo familje shqiptare”, u shpreh Mamaqi.
Ai tregoi se humori shpesh ka qenë mjeti i tij për të qetësuar situata të vështira, edhe sot, kur prindërit e tij janë në një moshë të thyer.
“Edhe tani, kur i shoh që zihen, i them me shaka: ‘Ore, si s’jeni ndarë deri tani, hallall!’ Janë si Tomi dhe Xherri. U them: divorcin ua paguaj unë, njëri mban shtëpinë, tjetrit ia paguaj qiranë gjithë jetën”, tregoi ai mes humorit.

