
Gjykata e Prishtinës caktoi dje masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj reperit Besart Kelmendi të njohur si ‘’Gjesti’’ për shkak se dyshohet se ka kryer disa vepra penale pasi u kap me armë zjarri.
Në rrjet pati reagime të shumta me artistë që dolën në mbrojtje të Gjestit. Një prej tyre ishte edhe reperi G Bani, i cili u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të mendojnë si prind për Gjestin.
“Pas informacionit që kam marrë për atë që ka ndodhur, më vjen shumë keq. I bëj thirrje drejtësisë së Republikës së Kosovës të mendojë si një prind për Gjestin, jo si xhelat. Të ketë parasysh që po kalon momente të vështira dhe ka kaluar,” u shpreh ish-banori i BBVIP4.
Ai nënvizoi faktin se Gjesti tashmë kishte reflektuar dhe kishte kërkuar falje mbi situatën dhe tha se drejtësia duhet të tregohet më e balancuar duke marrë në shqyrtim edhe rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.
“Gjesti është një artist që akuzohet për një krim, por ai nuk ka vrarë njeri dhe nuk ka dëmtuar jetën e askujt. Nuk është një kriminel,” theksoi G-Bani në reagimin e tij.
Në fund të mesazhit, ai u bëri thirrje institucioneve që ligji të zbatohet me ndjeshmëri dhe me vëmendje ndaj faktorëve njerëzorë, duke i dhënë mundësinë artistit të përballet me këtë periudhë të vështirë pa u dëmtuar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Versus.al

