MAGAZINË /

Golshifteh Farahani, aktorja iraniane që u bë shkak për “shuplakën” virale të Brigitte ndaj Emmanuel Macron: Nga mërgimi drejt famës botërore

Karriera e Farahani-t lëviz midis kinemasë së pavarur evropiane dhe prodhimeve të mëdha të Hollivudit - Për të, është e rëndësishme të gjejë një ekuilibër midis të dyjave.

Shkruar nga Versus
Golshifteh Farahani, aktorja iraniane që u bë shkak për
Golshifteh Farahani/ Momenti kur Brigitte shtyn Macron

Një emër i tretë dhe mjaft i njohur duket se qëndron pas incidentit të famshëm mes Brigitte Macron dhe Emmanuel Macron, kur mediat raportuan për një “shuplakë” të Brigitte ndaj presidentit francez.

Sipas gazetarit politik të revistës Paris Match, Florian Tardif, protagonistja e kësaj historie është aktorja iraniane Golshifteh Farahani.

Në librin e tij “Një çift (pothuajse) perfekt”, Tardif pretendon se Brigitte Macron kishte parë disa mesazhe në telefonin e bashkëshortit të saj, ku ai e përshkruante aktoren si “shumë të bukur”.

Sipas gazetarit, presidenti francez kishte zhvilluar për disa muaj një “dashuri platonike” ndaj aktores iraniane, gjë që kishte krijuar tensione në çift.

Tardif shton se fillimisht u mendua se gjithçka ishte një keqkuptim i momentit, por sipas tij situata nuk ishte aq e thjeshtë dhe debatet mes çiftit vazhduan edhe më tej.

Por kush është Golshifteh Farahani?

Aktorja iraniane lindi në Teheran në një familje artistësh. Babai i saj ishte regjisor dhe aktor teatri, ndërsa edhe motra e saj është aktore. Ajo nisi të merrej me art që në moshë të vogël, fillimisht me piano dhe më pas me aktrim.

Suksesi i parë i madh erdhi në vitin 1998, kur vetëm 14 vjeç interpretoi në filmin iranian “The Pear Tree”, rol që e bëri të njohur ndërkombëtarisht. Më vonë ajo u shfaq në filma si Body of Lies përkrah Leonardo DiCaprio dhe Russell Crowe, duke hyrë kështu në tregun hollivudian.

Karriera e saj u zgjerua më tej me filma të njohur si Paterson, ku luajti përkrah Adam Driver.

Farahani është gjithashtu e njohur për qëndrimet e saj kundër regjimit iranian dhe mbështetjen ndaj të drejtave të grave dhe lirisë artistike. Që prej vitit 2008 ajo jeton në mërgim, pasi autoritetet iraniane e ndaluan të rikthehej në vend për shkak të refuzimit të saj për të mbajtur hixhab në produksione ndërkombëtare.

Në vitin 2022 ajo doli publikisht në mbështetje të protestave për Mahsa Amini dhe u ngjit në skenë me Coldplay për të interpretuar këngën protestuese “Baraye”, që u kthye në simbol të revoltës në Iran./Versus.al

Poll