
Testamenti i stilistit të madh italian të modës, Giorgio Armani, është hapur në Milano , duke zbuluar dëshirat e tij për kontrollin dhe menaxhimin e shtëpisë së tij të famshme.
Stilisti legjendar ndërroi jetë në moshën 91 vjeç, vetëm disa javë para festimit të planifikuar të 50-vjetorit të shtëpisë së tij në Javën e Modës në Milano.
Lajmi për vdekjen e tij u njoftua të enjten, më 4 shtator, me "trishtim të pafund", tha shtëpia e modës në një deklaratë.
Sipas testamentit, partneri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Giorgio Armani-t, Leo Dal'Orco, do të ketë 40% të të drejtave të votës në shtëpinë e modës. 30% do t'u takojnë mbesave të stilistit, Silvanës dhe Andreas, dhe 30% e mbetur fondacionit të krijuar nga Armani.
Sa i përket kompanisë që menaxhon pasuritë e tij të paluajtshme, pronare do të jenë motra e tij, Rossana, dhe dy mbesat e tij.
Pasuria përfshin prona në Milano, vila në Saint-Tropez dhe ishullin italian të Pantelleria, ndërsa Leo Dall'Orco do të ketë uzufruktin e tyre, përfshirë rezidencën në kryeqytetin italian ku jetoi Armani.
Testamenti përcakton gjithashtu se brenda 18 muajve nga publikimi i tij, 15% e shtëpisë duhet t'i shitet një grupi me fuqi të krahasueshme, siç janë LVMH, Luxottica ose L'Oreal.
Tre vjet më vonë, mund të shitet një përqindje shtesë prej 30%-54.9%, duke lënë të hapur mundësinë e një ndryshimi të ardhshëm të pronësisë së shtëpisë me famë ndërkombëtare.
Giorgio Armani kërkon në testamentin e tij që shtëpia të menaxhohet "etikisht, paanësisht dhe pa asnjë të metë", me theks në ruajtjen e një stili bashkëkohor dhe thelbësor, elegance, inovacioni dhe cilësie./Versus.al







