Sot, qielli do të dhurojë një spektakël të rrallë, eklipsin e dytë të plotë të Hënës për këtë vit, i njohur si fenomeni i “Hënës së Kuqe”
Sa do të zgjasë dhe ku do të shihet?
Ky eklips do të zgjasë 5 orë e 27 minuta, ndërsa faza totale, kur Hëna zhytet e tëra në hijen e Tokës, do të zgjasë 1 orë e 22 minuta, duke e bërë një nga më të gjatat e dekadës. Eklipsi nis në orën 19:30 dhe përfundon në 20:52.
Pamjen më të plotë do ta kenë shikuesit në Azi dhe Australi Perëndimore, por edhe Evropa, Afrika, Australia Lindore dhe Zelanda e Re do të kenë mundësinë të shohin një pjesë të eklipsit, përfshirë edhe fazën e plotë. Në Evropë, Hëna do të ngrihet tashmë e mbuluar pjesërisht, dhe pamja më mbresëlënëse pritet të jetë në horizontin lindor, kur ajo të shfaqet me një nuancë të thellë të kuqe.
Sipas portalit Time and Date, rreth 6.2 miliardë njerëz (77% e popullsisë botërore) do ta shohin të plotë, ndërsa 7.1 miliardë (88%) të paktën një fazë të pjesshme të tij.
Eklipsi ndodh kur Toka kalon mes Diellit dhe Hënës, duke bllokuar dritën e Diellit. Në vend që të zhduket, Hëna merr ngjyrën e kuqe për shkak të faktit se rrezet e kuqe të gjata të spektrit kalojnë përmes atmosferës së Tokës dhe arrijnë në sipërfaqen e saj, ndërsa ato blu shpërndahen. Ky fenomen është i njëjtë me ngjyrën e kuqe të qiellit gjatë perëndimit të Diellit. Për këtë arsye quhet edhe “Hëna e Kuqe” ose “Hëna e gjakut”.
Një fenomen i veçantë i vitit 2025
Eklipsi i 7 shtatorit është i veçantë jo vetëm për kohëzgjatjen e tij, por edhe sepse ofron një mundësi unike për miliona njerëz që të shohin këtë spektakël qiellor pa asnjë pajisje të veçantë. Hëna do të qëndrojë për gati një orë e gjysmë e zhytur plotësisht në hijen e Tokës, duke krijuar një ngjyrë të kuqe të thellë dhe dramatike.
Nga ana shkencore, eklipsi i Hënës është plotësisht i padëmshëm për shëndetin e njeriut dhe nuk ka ndikim fizik. Është thjesht një fenomen natyror. Por në kulturë dhe astrologji i është dhënë gjithmonë një kuptim simbolik.
Astrologët besojnë se gjatë Hënës së plotë, e sidomos gjatë eklipsit, emocionet bëhen më të forta, mund të shfaqet ankthi, pagjumësia apo tensionet në marrëdhënie. Ky moment shihet si një kohë e mirë për përfundimin e punëve të vjetra dhe përballjen me çështje të së kaluarës.
▪ Ky është një moment për vetë-reflektim dhe qetësi, jo për veprime impulsive.
▪ Konfliktet dhe keqkuptimet mund të lindin papritur, sidomos sepse Hëna do të jetë në opozitë me Merkurin, duke sjellë vështirësi në komunikim dhe shtrembërim të informacionit.
▪ Emocionet mund të ndikojnë në mënyrën si kuptojmë apo transmetojmë mesazhe. Për këtë arsye, këshillohet të mos reagojmë me nervozizëm, por të ndalemi dhe të menaxhojmë ndjenjat me kujdes.
▪ Astrologët sugjerojnë të shkruajmë ndjesitë dhe detyrat, të mos i fshehim emocionet dhe të gjejmë mënyra të shëndetshme për t’i liruar.
Shenjat që do ta ndiejnë më fuqishëm
Sipas astrologëve, katër shenja do të ndiejnë ndikimin më të madh emocional:
DEMI - do të ketë nevojë për mbështetje nga njerëzit e afërt dhe për ndarje të planeve që e shqetësojnë.
VIRGJERESHA – partneri bëhet temë kryesore; kërkohet sinqeritet dhe hapje, si në marrëdhëniet personale ashtu edhe në ato profesionale.
AKREPI- përjeton ndjenja të forta në dashuri; duhet guxim për të folur hapur dhe për të mos e parë sinqeritetin si dobësi.
PESHQIT – duhet të fokusohen te vetja, duke mbajtur disiplinë dhe duke mos e humbur energjinë në fajësime.







