Në orët e para të mëngjesit të së shtunës, më 7 shtator, autoritetet shqiptare kanë finalizuar ekstradimin e 41-vjeçarit Vilson Pepa, i njohur edhe me emrin Soni Pepa, nga Punta Cana, Republika Domenikane, drejt Shqipërisë.
I shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e një prej rrjeteve më të sofistikuara të trafikut ndërkombëtar të drogës, Pepa dyshohet për rolin e tij financiar dhe logjistik në dërgesa masive kokaine drejt Evropës, të udhëhequra nga dy emra të njohur të botës së krimit: Ervis Çela dhe Franc Çopja.
Falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo dhe në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, autoritetet arritën të lokalizonin dhe të arrestonin Pepën në një zonë luksoze të Punta Cana-s. Ai u kap me pasaportë shqiptare, dokumente italiane, pesë telefona celularë të koduar dhe një shumë të konsiderueshme parash në dorë.
Pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, Pepa iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në Shqipëri, ku do të përballet me një sërë akuzash të rënda:
Kryerja e veprave penale nga organizatë kriminale dhe grup i strukturuar kriminal
Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
Çfarë fshihet pas emrit “Soni Pepa”?
Emri i Vilson Pepës doli në skenë pas operacionit të datës 8 gusht, kur SPAK goditi për herë të dytë organizatën kriminale të Franc Çopjës në Elbasan. Mes 16 urdhër-arresteve të lëshuara, Pepa rezultonte një nga figurat kyçe të strukturës, i dyshuar si financues dhe organizator i logjistikës për disa dërgesa të mëdha droge.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga SPAK, Pepa është përfshirë direkt në trafikun e 28 tonëve kokainë, nga të cilat 17 tonë janë sekuestruar, në dy episode të ndryshme:
Nëntor 2020 – U organizua trafiku i 11.6 tonëve kokainë, e fshehur në kuti sapuni dhe bojë metalike me logon "Fox". Ngarkesa u nis nga porti i Villetas në Paraguai dhe mbërriti në Anvers, Belgjikë më 4 nëntor 2020. Në këtë episod, 600 kg kokainë dhe 2 milionë euro u sekuestruan në Roterdam, ndërsa dy shqiptarë u arrestuan.
Shkurt 2021 – U zbulua një dërgesë tjetër prej 16.4 tonësh kokainë, e fshehur në bombola metalike me bojë ndërtimi, të cilat mbërritën në Hamburg, Gjermani më 12 shkurt 2021. Vlera në treg e kësaj sasie përllogaritet nga 1.5 deri në 3.5 miliardë euro.
Të dhënat e mbledhura nga autoritetet sugjerojnë se kjo organizatë kishte kapacitete të tilla financiare dhe logjistike, saqë ndikonte në çmimin e kokainës në tregjet europiane, një fakt që e bën grupin e Çopjës dhe Çelës një nga më të rrezikshmit e dekadës së fundit.
Në momentin e ndalimit, Pepa rezultonte i pajisur me identitet të dyfishtë, duke përdorur të paktën një pasaportë shqiptare, disa dokumente italiane dhe pajisje të avancuara për komunikim të fshehtë. Prania e pesë telefonave të koduar tregon për përmasat e aktivitetit kriminal që ai menaxhonte dhe masat për të shmangur gjurmimin nga agjencitë ligjzbatuese.







