AKTUALITET /

Mbante me forcë një vajzë 15-vjeçare si 'grua' në banesën e tij, arrestohet 33-vjeçari në Durrës

Policia gjen në banesë armë zjarri me silenciator dhe municion luftarak

Shkruar nga Versus

Mbante me forcë një vajzë 15-vjeçare si 'grua'

Një 33-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se mbante me forcë në banesën e tij një vajzë 15-vjeçare, duke ushtruar dhunë psikologjike dhe pa e lejuar të largohej.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, shërbimet e Komisariatit të Durrësit, në bashkëpunim me forcat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë, ndërhynë menjëherë pas marrjes së informacionit dhe arrestuan shtetasin Enea Zeqiri, 33 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Durrës.

Njoftimi zyrtar i Policisë:
“Mbajti me forcë në banesë një 15-vjeçare, duke ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj dhe pa e lejuar të largohej – arrestohet në flagrancë 33-vjeçari.”
Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, Policia i gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri tip “Zastava” me silenciator si dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se mbaheshin pa leje.

Sipas burimeve zyrtare, Enea Zeqiri dyshohet se kishte një marrëdhënie intime me të miturën dhe e kishte privuar nga liria duke e mbajtur në mënyrë të paligjshme në banesën e tij.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale:

“Dhuna në familje”
“Heqja e paligjshme e lirisë”
“Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar çdo aspekt ligjor të rastit. VERSUS 

 

Poll