
Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Futbollit rikonfirmoi sot besimin e plotë ndaj drejtimit aktual duke zgjedhur Armand Dukën President për një mandat të ri katërvjeçar.
Vendimi u mor me votë unanime nga të gjithë anëtarët me të drejtë vote, një shprehje e qartë e mbështetjes dhe unitetit brenda komunitetit të futbollit shqiptar. Por duhet theksuar fakti se Duka ishte kandidat i vetëm në garë për këtë post në të cilin duket se nuk ka asnjë konkurrent.
Procesi u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” ku delegatët vlerësuan lidershipin, vizionin dhe kontributin e Presidentit Duka në zhvillimin e futbollit në vend, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë organizativ dhe institucional.
Ky mandat i ri jo vetëm konfirmon lidershipin e Presidentit Duka, por edhe angazhimin e FSHF për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm, promovim të talenteve të rinj dhe rritje të standardeve të futbollit shqiptar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Versus.al

