MAGAZINË /

"Jemi të tensionuar që prej momentit kur mbërritëm", kapiteni i Iranit thumbon SHBA-të

Deklaratat e Taremit vijnë në një kohë kur organizimi i Botërorit 2026 është përballur me kritika të ndryshme lidhur me çështjet logjistike, procedurat e vizave dhe lëvizjen e delegacioneve mes vendeve organizatore.

Shkruar nga Versus

"Jemi të tensionuar që prej momentit kur

Në prag të ndeshjes hapëse të Iranit ndaj Zelandës së Re, kapitani i skuadrës iraniane, Mehdi Taremi foli për vështirësitë dhe tensionet që sipas tij, kanë shoqëruar turneun që nga fillimi.

“I ndjeva tensionet që nga momenti kur mbërrita. Sigurisht, nuk kam përjetuar të njëjtën atmosferë të bukur që kam përjetuar në Kupat e Botës të mëparshme”, deklaroi sulmuesi iranian.

Sipas tij, problemet nuk kanë prekur vetëm Iranin, por edhe kombëtare të tjera, madje edhe zyrtarët e ndeshjeve.

“Irani nuk ishte i vetmi që u prek. Edhe të tjerët patën probleme, përfshirë gjyqtarët. Disa vende u përballën me vështirësi me vizat dhe u detyruan të ndryshonin kampet e tyre stërvitore”, tha Taremi.

Sulmuesi theksoi se mungesa e entuziazmit që zakonisht shoqëron një Kupë Bote është vërejtur që para mbërritjes së skuadrave në turne.

“Edhe para se të arrinim ne, njerëzit nuk e kishin atë ndjenjën e zakonshme të pritjes dhe entuziazmit për një Kupë Bote. Këto tensione e zvogëlojnë gëzimin dhe dëmtojnë mesazhin që promovon futbolli – një sport që duhet të sjellë paqe dhe bashkim”, shtoi ai.

Megjithatë, Taremi shprehu shpresën se situata do të përmirësohet në të ardhmen.

“Ky Botëror mund të kishte pasur një atmosferë më të mirë, por shpresoj që në të ardhmen gjërat të jenë më pozitive për të gjithë tifozët, pavarësisht se cilën kombëtare mbështesin”, përfundoi sulmuesi i Iranit.

Deklaratat e Taremit vijnë në një kohë kur organizimi i Botërorit 2026 është përballur me kritika të ndryshme lidhur me çështjet logjistike, procedurat e vizave dhe lëvizjen e delegacioneve mes vendeve organizatore. Gjithashtu edhe situata mes dy shteteve, Iranit dhe SHBA-së vazhdon të jetë e tensionuar.  

 

Poll