MAGAZINË /

"Jetike ndeshja me Letoninë" / Kuqezinjtë nisin përgatitjet në Malaga për sfidat e shtatorit

Atmosferë pozitive në kampin shqiptar. Asani dhe Berisha flasin për objektivin e qartë: 3 pikët ndaj Letonisë në “Air Albania”

Shkruar nga Versus

"Jetike ndeshja me Letoninë" / Kuqezinjtë nisin
Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht grumbullimin në Malaga, Spanjë, në kuadër të përgatitjeve për dy sfidat e muajit shtator: miqësoren ndaj Gjibraltarit dhe ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2026 ndaj Letonisë.

Kuqezinjtë zhvillojnë pasditen e sotme seancën e parë stërvitore, ndërsa lojtarët janë të kompletuar dhe të fokusuar te objektivat e qarta që i presin.

Asani: “Ndaj Letonisë duhen patjetër 3 pikët”
Sulmuesi Jasir Asani, një prej titullarëve të rëndësishëm të kombëtares, ka folur për kanalin zyrtar të FSHF-së, ku ka theksuar rëndësinë e përgatitjes dhe rëndësinë e përballjes me Letoninë:

“Atmosfera dihet që është shumë e mirë. Sot është dita e parë e stërvitjes dhe të gjithë jemi në maksimumin tonë. Do të përgatitemi fillimisht për miqësoren me Gjibraltarin, por fokusi kryesor është te Letonia. Me 9 shtator patjetër që duhet të marrim tre pikët në shtëpi.”

Asani nuk harroi të përmendë rolin e tifozëve, të cilët i cilësoi si shtysë të madhe për ekipin:

“Tifozët janë mbështetja jonë e madhe. Besoj se stadiumi do të jetë plot dhe së bashku do të japim maksimumin. Duam ato 3 pikë dhe do të luftojmë për to që nga nxehja.”

Mesfushori Medon Berisha, një tjetër emër që ka fituar vëmendje me paraqitjet e tij, u shpreh i kënaqur me atmosferën në grup dhe foli për rëndësinë e dy sfidave që i presin kuqezinjtë:

“Atmosfera është shumë e mirë, jemi në pritje të stërvitjes së parë. Miqësorja ndaj Gjibraltarit do të shërbejë si një test serioz për të parë se ku ndodhemi fizikisht dhe taktikisht.”

Sa i përket përballjes me Letoninë, e cila do të luhet më 9 shtator në “Air Albania”, ora 20:45, Berisha u shpreh:

“Letonia është ekip shumë i organizuar dhe kompakt. Duhet të ruajmë tranzicionin negativ dhe të jemi të kujdesshëm. Është gjithmonë kënaqësi të luajmë në ‘Air Albania’. I mirëpresim të gjithë tifozët të na mbështesin.”

Kombëtarja shqiptare do të përballë Gjibraltarin në një miqësore që do të shërbejë si përgatitje, ndërsa sfida ndaj Letonisë në Tiranë pritet të jetë vendimtare për ecurinë në kualifikueset drejt “Botërorit 2026”.

Poll