Prishtina është ndezur nga emocionet! Kosova ka reaguar në mënyrën më të mirë të mundshme pas humbjes ndaj Zvicrës, duke mposhtur Suedinë e yjeve të Premier League me rezultat bindës 2:0, të hënën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Para një stadiumi të stërmbushur dhe një atmosfere elektrizuese, “Dardanët” e Franco Fodës dhanë një paraqitje fantastike, duke rikthyer shpresën dhe besimin për një kualifikim historik në Kampionatin Botëror 2026.
Rexhbeçaj-Muriqi, dyshja e artë!
Në minutën e 26-të, Elvis Rexhbeçaj hapi serinë e golave pas një kundërsulmi të shpejtë. Ishte përpjekja e dytë ajo që përfundoi në rrjetë, por entuziazmi në tribuna shpërtheu menjëherë.
Në minutën e 42-të, ishte radha e liderit të pakontestueshëm, Vedat Muriqi, për të shtuar avantazhin. Pas një aksioni të bukur dhe një asisti të shkëlqyer nga Albion Rrahmani, sulmuesi shënoi golin e 32-të me fanellën e Kosovës, duke vazhduar të thellojë epërsinë si golashënuesi më i mirë në historinë e përfaqësueses.
Pavarësisht mungesave të shumta; kapitenit Amir Rrahmani, yjeve si Zhegrova, Rashica, Hadërgjonaj dhe Sahiti, Kosova nuk u ndal. Çdo lojtar dha maksimumin dhe formacioni i zgjedhur nga Foda funksionoi perfekt.
Në fushë u shfaqën emra të rinj, energjikë dhe të motivuar, si Ilir Krasniqi, Dion Gallapeni, ndërsa në pjesën e dytë debutoi edhe Veldin Hoxha, së bashku me Fisnik Asllanin, Muharrem Jasharin e Lindon Emërllahun.
Nga ana tjetër, Suedia u paraqit me yje të mëdhenj, përfshirë Gyokeresin e Arsenalit, Elangën e Newcastle dhe Isakun e Liverpool, por milionat nuk i ndihmuan dot – sepse zemra dhe grinta e Kosovës ishte më e madhe!
Një hap i madh drejt ëndrrës
Fitorja ndaj Suedisë është padyshim një nga më të rëndësishmet në historinë e Kosovës. Me këtë triumf, “Dardanët” ngjiten në vendin e dytë në grup, pas Zvicrës dhe para Suedisë e Sllovenisë.
Ndeshja e radhës?
Një tjetër finale në Prishtinë! Kosova rikthehet në “Fadil Vokrri” më 10 tetor, për një përballje tepër të rëndësishme ndaj Sllovenisë. Me entuziazmin që po ndërtohet dhe me mbështetjen e zjarrtë të tifozëve, kjo përfaqësuese është gati të shkruajë histori. /VERSUS /







