MAGAZINË /

“Kur ikën, qaja në banjo”, Ermal Meta zbulon dy vajzat e adoptuara në Shqipëri: Jam bërë baba tre vite më parë

Shkruar nga Versus

“Kur ikën, qaja në banjo”, Ermal Meta zbulon dy vajzat e

Ermal Meta, këngëtari shqiptar tepër i njohur në Itali gjatë një rrëfimi për karrierën, familjen dhe gruan e tij ka zbuluar për herë të parë se në fakt është bërë baba para 3 vitesh dhe jo vitin e kaluar me ardhjen në jetë të vajzës që ka me gruan e tij, Chiara.

Ai ka folur për 2 vajzat të quajtura Klodiana dhe Lumturie të cilat do t’i birësojë dhe që jetojnë ende në një jetimore në Shqipëri. Ermal Meta tha se së bashku me partneren e tij kanë patur një angazhim të gjatë me një shtëpi fëmijësh dhe se i kishin takuar vajzat kur ishin 15 vjeçe gjatë vizitave të shpeshta në këtë shtëpi. Por për shkak se nuk ishin të martuar, nuk mund të bëheshin prindër të ligjshëm për to.

“I kemi njohur kur ato ishin 15 vjeçe, por, duke qenë se nuk ishim të martuar, nuk mund të adoptonim. Në qershor do të bëjnë 18 vjeç dhe do të mund të vijnë të jetojnë me ne. Por, ju them, ato janë tashmë vajzat tona prej tre vitesh. Nuk kam folur kurrë për këtë…”, tregoi ai.

Ermal Meta tregon se ishte në Bari për të kënduar, kur ajo që kujdesej për dy vajzat e telefonoi dhe i tha se ato ishin në qytet për një treg bamirësie. Siç tregon ai, ky ishte momenti kur ai vendosi t’i takonte, pas i ftoi vajzat që të kalonin verën me të dhe Chiarën. Meta tregon se kur ato u larguan, ai e kuptoi se nuk mund të kalonte dot pa to. Ky moment shënoi një kthesë të madhe për të.

Ai i përshkruan emocionet e tij si një “prerje” në zemër, duke shpjeguar se, ndonëse ajo që kaluan vajzat ishte e vështirë dhe e dhimbshme, ai e ndjeu se ishte bërë babai i tyre në atë moment.

“Në momentin që ato u larguan një verë, dhe kuptova që nuk mund të bëja dot pa to… Shikoni, gjithçka ishte e rastësishme… Duhej të isha në Romë, pastaj në Milano, por në vend të kësaj isha në Bari duke kënduar. Më thërret motra që i rriti dhe shpëtoi vajzat, që unë i njihja për shkak të vizitave të shumta në atë shtëpi fëmijësh, dhe më thotë se ato janë në qytet për të bërë një treg bamirësie.

Atëherë shpresova t’i takoja dhe ajo ditë ishte ditëlindja e Lumes, por nuk e dija, po ashtu dhe ditëlindja e mamasë sime, me të cilën do të festoja atë natë. I mora dhe shkoj për drekë me ta. Ndërkohë po prisja një telefonatë nga një mik që duhej të më jepte një përgjigje për pushimet që do të bënim.

Pasi ai më shkroi dhe për të dytin vit më dha një premtim të rremë. Atëherë, ndërsa isha në makinë me to, u ktheva dhe u thashë: “A keni ndonjë plan për këtë verë?” “Ah, jo, asgjë.” “Nëse doni të vini në pushime me mua dhe me Chiara…”. Ato u gëzuan shumë, motra më shikoi e befasuar, dhe unë më pas kuptova se nuk e kisha pyetur ende Chiara. Kështu që u ktheva në shtëpi dhe i thashë: “E dashur, duhet të të them diçka”. I shpjegova dhe ajo ishte po aq e gëzuar”, rrëfen ai.

Po ashtu ai ka treguar edhe momentin kur ato mësuan se Chiara ishte shtatzënë. Ermal Meta tha se ishte një moment emocionues, dhe se i ka siguruar ato se asgjë nuk do të ndryshonte në raportin e tyre me to. Ai shpjegoi se ato, për shkak të eksperiencës së jetimores, kishin frikë se do të injoroheshin.

“Ishte një moment i jashtëzakonshëm. Ato u panë me njëra-tjetrën… Unë i sigurova menjëherë: “Nuk ndryshon asgjë, do të keni një motër më shumë”. Ato përpiqeshin të dukeshin të lumtura. Por e kuptoj, sepse në jetimoren ku qëndronin, kur vinin çifte, vajzat më të mëdha gjithmonë ndiheshin të lëna mënjanë. Më kishin shpjeguar se vajzat më të mëdha nuk priten nga askush. Dhe unë iu përgjigja instinktivisht: “Por unë ju dua juve””, ka treguar ai.

Në fund, artisti shqiptar u shpreh tejet i emocionuar për ardhjen e vajzave së shpejti në Itali.

Jeni të emocionuar për ardhjen e tyre?

“Shumë, nuk presim dot, kemi rregulluar tashmë dhomat. Ka kaq shumë dashuri që i pret”, tha ai. Versus.al

Tags:

ermal meta

Poll