Vetmia është kthyer në një krizë globale që prek miliona njerëz dhe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), është bërë një faktor që ndikon seriozisht në shëndetin publik. Një raport i ri i Komisionit të OBSH-së për Marrëdhëniet Sociale tregon se rreth një në gjashtë persona në mbarë botën ndihen të vetmuar, me pasoja që shkojnë deri në vdekje të parakohshme për qindra mijëra vetë çdo vit.
Sipas të dhënave, të rinjtë janë grupi më i prekur: 20.9% e adoleshentëve dhe 17.4% e të rriturve nën moshën 30 vjeç raportojnë ndjenja të forta vetmie. Ndërkohë, tek të moshuarit mbi 60 vjeç, kjo përqindje bie në 11.8%.
Ndërsa burrat dhe gratë shfaqin nivele të ngjashme vetmie, vajzat adoleshente përballen me përqindjen më të lartë – plot 24.3%, sipas raportit. Kjo tregon se ky grup është veçanërisht i ndjeshëm ndaj izolimit social.
“Ka shumë faktorë që nxisin vetminë dhe izolimin social,” u shpreh Dr. Vivek Murthy, bashkëkryetar i komitetit të OBSH-së. Ai theksoi se problemet me shëndetin fizik dhe mendor janë shpesh shkaktarë të izolimit, duke u shoqëruar më pas me margjinalizim shoqëror dhe përdorim të dëmshëm të teknologjisë digjitale.
Ky raport vjen si një thirrje për veprim ndaj qeverive dhe institucioneve shëndetësore, që të përfshijnë luftën kundër vetmisë në politikat e tyre të shëndetit publik dhe mirëqenies sociale. /Versus.al







