
Aktorja dhe moderatorja Egla Ceno është shpallur fajtore për shpifje ndaj gazetarit dhe drejtuesit të emisionit investigativ, Saimir Kodra, duke u dënuar nga Gjykata e Tiranës me një gjobë prej 1 milionë lekësh të vjetra.
Vendimi u dha këtë të martë, ku gjykata konstatoi se deklaratat publike të ish-banores së “Big Brother VIP” kanë qenë të pabazuara dhe kanë cenur reputacionin e gazetarit.
Ngjarja nisi pas një deklarate televizive të Eglës, e cila pretendoi se ishte ngacmuar seksualisht nga Saimir Kodra gjatë një bashkëpunimi profesional. Kjo deklaratë shkaktoi reagime të shumta, ndërsa gazetari vendosi ta çonte çështjen në gjykatë.
Gjatë procesit gjyqësor, aktorja ka dhënë deklarata kontradiktore.
Fillimisht, ajo tha se kishte frikë të paraqitej në gjykatë; më pas pretendoi se nuk kishte përmendur Saimir Kodrën, por vetëm mbiemrin “Kodra”.
Në një tjetër seancë, ajo ndryshoi sërish version, duke u shprehur se deklaratat e saj kishin kuptim simbolik, në mbështetje të grave që kanë përjetuar abuzim seksual.
Megjithatë, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i hodhi poshtë pretendimet e saj, duke vlerësuar se deklaratat e bëra publikisht kanë dëmtuar padrejtësisht figurën e gazetarit Saimir Kodra dhe vendosi dënimin me gjobë ndaj aktores.







