
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka zyrtarizuar sot ndryshime të reja që do të bëhen në stafin e kuqezinjve, gjatë një ceremonie të zhvilluar në nder të Silvinjos, Zabaletës dhe Doriva të cilët kanë mbyllur ciklin e tyre.
Një prej tyre është largimi i Ilir Bozhiqit i cili ka qenë përgatitësi i portierëve të Kombëtares shqiptare prej shumë vitesh, duke qenë në stafin e kuqezinjve që kur ajo drejtohej nga Josip Kuzhe dhe ishte asistenti më i vjetër në radhët e saj.
“Do të doja të falënderoja Ilir Bozhiqin për kontributin e tij në ekipin Kombëtar, për më shumë se 3 vite, për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij. Do të doja të falënderoja edhe Luka Laurentin dhe Alariko Rosin, të cilët edhe ata do të zëvendësohen.
Një falënderim shumë i madh nga unë dhe nga e gjithë FSHF për të gjithë kontributin tuaj për ekipin Kombëtar dhe, në të njëjtën kohë, unë ju uroj që të keni vetëm suksese në futboll, por padyshim që të keni një jetë sa më të mirë dhe të shëndetshme. Derën në Shqipëri do ta keni të hapur, padyshim që do të jeni pjesë e eventeve tona në çdo moment dhe uroj që të kemi vetëm momente të bukura dhe momente gëzimi. Faleminderit edhe njëherë të gjithëve dhe urime!”, ishin fjalët e Dukës.
Luka Laurenti ka qenë përgatitësi atletik i përfaqësueses, ndërsa Alariko Rosi, ishte video-analisti i afruar gjatë periudhës së drejtimit të Kristian Panuccit, i cili më pas u bë edhe shef i përgjithshëm i Departamentit të Analizës dhe Inovacionit në FSHF. Mbetet të shihet se kush do të zëvendësojë këto emra në stafin kuqezi dhe nëse të larguarve do u ofrohet një rol tjetër brenda institucionit.

