Trajneri brazilian i Kombëtares shqiptare, Sylvinho Mendes ka bërë sërish ndryshime në listën e lojtarëve të grumbulluar të Kombëtares shqiptare në kuadër të kompeticionit “Liga e Kombeve”.
Një prej ndryshimeve është lënia në shtëpi e Armando Brojës për shkak të një dëmtimi që sulmuesi ka pësuar.
“Broja është dëmtuar në tendinën e këmbës së djathtë dhe nuk e ka të mundur të luajë. Në vend të tij, do të rikthejmë Myrto Uzunin në listë”- u shpreh Sylvinho ndër të tjera.
Ai po ashtu u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me arsyet e grumbullimit apo të mos-grumbullimit të disa prej lojtarëve të tjerë. Konkretisht për Ernest Muçin, Sylvinho tha se e konsideron tepër të rëndësishëm por vendimin për të mos e ftuar e komentoi duke thënë se preferonte një lojtar që godet me të majtën në pozicionin ku luan Muçi.
Rikthimi i Myrto Uzunit në Kombëtare vjen pas përjashtimit që iu bë beratasit në listën e Kombëtares për “Euro 2024”, gjë e cila shkaktoi pakënaqësi edhe tek familjarët e tij. I ati i Uzunit, nuk i kurseu kritikat për Sylvinhon duke publikuar statistikat e djalit të tij për golat e shënuara në La Liga.
Mosgrumbullimi në Kombëtare për ndeshjen e Ligës së Kombeve solli edhe kërcënimin e kreut të FSHF, Armand Dukës nga ana e Nazmi Selmanit, presidentit të "KF Iliria" i cili i kërkonte të grumbullonte djalin e tij Gentian Selmani që luan si portier në klubin "KF Tirana". Versus.al
Versus.al








